Rruga Shkup-Bllacë, rrezik për shoferët

Rruga Shkup-Bllacë, rrezik për shoferët

Gazetar: Adnan Qaili

Një udhëtim i këndshëm me makinë përgjatë autostradës së re të Kosovës, mund të shndërrohet në makth për kilometrat e fundit të hyrjes për në Shkup të cilido prej nesh. Të paralajmëruar prej mbi një dekade, as dy kilometrat e parë që u bënë simbolikë e premtimeve politike, ende nuk janë përfunduar. Kjo tabelë tregon se po zhvillohen punime në rrugë, por nuk kanë afat të caktuar se kur do të mbarojnë. Projekti i dy kilometrave të para të autostradës Shkup-Bllacë jo vetëm që e ka kaluar afatin, por tani, me pjesët e paparashikuara në të, sikurse tereni, shpronësimet etj., tani e kalon edhe buxhetin. Fillimisht ishte synuar 10 milion euro një kilometër, tani kjo kosto është 23 milion. Ndërkaq, tenderi i ri për 10,5 kilometrat e tjera parashikohet të ketë vlerën fillestare prej 186.7 milionë eurosh. N.P. Rrugët Shtetërore ka parashikuar që traseja nga unaza e Stenkovecit në Shkup, deri në pikën afër fshatit Bllacë të paguaj 18,670,000 euro për çdo kilometër autostradë.

“Fiks këtu ku punohet është fundi i dy kilometrave të para të autostradës Shkup-Bllacë, ku janë paraqitur ujëra nëntokësore dhe autoritetet thonë se vështirë të arrihet termini i paracaktuar i përfundimit të këtij aksi në gusht të vitit 2023. Mirëpo akoma nuk dihet se kush do të marrë tenderin për të vazhduar pjesën tjetër që janë paraparë të bëhen me çmim pothuajse dyfish më shtrenjtë nga ajo që u bë ky projekt”, raporton Adnan Qaili.

Sipas thirrjes publike, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim jep kredi 167,6 milionë euro me garanci nga shteti për 16 vjet dhe 20,8 milionë euro janë dhënë si grant nga BE-ja përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Në autostradë janë planifikuar gjithsej 11 tunele me gjatësi 4.8 kilometra dhe 9 ura në të dy drejtimet me gjatësi 1,35 kilometra. Parashikohet se ndërtimi do të zgjasë 48 muaj, ndërsa fillimi do të planifikohet për më 17 nëntor.

“Nga ana tjetër e bregut ekipet po punojnë për ndërtimin e autostradës së re. Ndërkaq nga krahu im tjetër gjysma ekipit po punojnë për rindërtimin e rrugës së vjetër, magjistrale e cila do jetë e vetmja aktive përderisa akoma nuk dihet kur do të përfundoj autostrada e re”, raporton Adnan Qaili.

Autostrada Shkup-Bllacë vetëm me 12.5 km sipas krahasimeve me projektet e tjera rajonale të do jetë më e kushtueshme dhe me një kohëzgjatje të papërcaktuar. Fillimisht u parashikua të kushtojë 110 milion euro. Tani kjo shumë ka arritur në 209,7 milion euro, 80% e të cilave duhet shlyer nga taksapaguesit pasi janë kredi. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button