Rrugët në Tetovë, BDI pranoi që s’ka mundur t’i detyrojë institucionet t’i përdorin emrat e rinj
Gazetar: Suad Bajrami
BDI-ja mbrëmë shprehu revoltën në Tetovë ndaj vendimit e Gjykatës Kushtetuese për emrat e rrugëve. Me thirrje dhe pankarta kundër kreut të komunës Bilall Kasami, por edhe VLEN-it, integristët marshuan nga Sheshi “Iliria”, i cili sipas vendimit të ri quhet “Marshall Tito”, deri te objekti i Komunës së Tetovës i cili ndodhet në rrugën “Dervish Cara” apo “JNA”. Kreu i Degës së BDI-së në këtë qytet, Bajram Rexhepi tha se kërkesa e tyre është që vendimi për emrat e rrugëve që Kushtetuesja e ka anuluar, të përsëritet. I përballur me gazetarët që kërkonin llogari, duke e pasur parasysh se gjatë dy dekadave të BDI-së në pushtet, institucionet shtetërore kanë përdorur emrat e vjetër, Rexhepi tha se nuk kanë mundur t’i detyrojnë t’i përdorin emrat e ri.
“Nuk mund t’i detyrosh të gjitha institucionet që ta respektojnë atë vendim. Shumica dërrmuese e kanë respektuar. Shumica e dokumenteve janë me ato. Jo në asnjë mënyrë. Në shumicën e dokumenteve figurojnë emrat që janë miratuar në Këshillin e atëhershëm. Jo në asnjë mënyrë. Jo nuk është e vërtetë. Jo në asnjë mënyrë”, deklaroi mbrëmë Bajram Rexhepi, kryetar i BDI-së në Tetovë.
Arsyetimi i BDI-së se nuk kanë mundur t’i detyrojnë të gjitha institucionet për të përdorur emrat e rinj është i diskutueshëm, pasi partia e Ali Ahmetit ka qenë pjesë e ekzekutivit dy dekada, ndërsa me krenari e përmendin se pushtetin e kanë lënë me kryeministrin e parë shqiptar dhe me numër më të madh të ministrave se ish- partneri i tyre LSDM-ja. Madje për të dëshmuar se ushtron pushtet të plotë të kryeministrit, ndonëse teknik, asokohe Talat Xhaferi në vitin 2024 kishte shkuar personalisht për të inspektuar Sektorin e Punëve të Brendshme në Tetovë në kohën kur kishte probleme me terminët për dokumente personale të qytetarëve.
Për më shumë mund ta ndiqni dialogun
“Ku e ke vendin e punës ti? Vendin e punës e kam në Stacionin Policor. Po çfarë bën këtu? Kisha ardhur për një dokument. Çfarë dokumenti? Në lidhje me çështje financiare. Çfarë dokumenti konkretisht? Po për shkak se… Hajt me axhën shko te vendi i punës se ti nuk ke punë me dokument. Dëgjo tash të të tregoj unë ty, ti nuk ke punë zyrtare këtu as një send, ti ke ardhur këtu për të pirë kafe…”, deklarohet Xhaferi.
“Kush s’e ka vendin këtu, le të dalë menjëherë të shkojë në vendin e tij”, tha Xhaferi.
Institucioni ku Talat Xhaferi demonstronte pushtet ndaj punëtorëve, pasaportat dhe letërnjoftimet i lëshonte me emra të vjetër të rrugëve. Megjithatë ky nuk ishte qëllimi i vizitës së Xhaferit, i cili kishte prioritet vendosjen e rendit në funksionimin e administratës së policisë në Tetovë.
Për hire të vërtetës, administrata policore i përdor emrat e vjetër të rrugëve të Tetovës meqenëse Regjistri Qendror fare nuk i ka regjistruar emrat e rinj pasi s’ka pasur pajtim prej Qeverisë. Kjo situatë është pasqyruar edhe në Kadastër dhe Entin e Statistikave. Mos zgjidhja Institucionale e kësaj çështje, e ka detyruar edhe Komunën e Tetovës që të përdorë emrat e vjetër në komunikim me institucionet tjera shtetërore. Fakt konkret këtë janë fletoret zyrtare ku Alsat gjeti se Komuna e udhëhequr nga kuadri i BDI-së, Teuta Arifi ka përdorur emrat “Marshall Tito” apo “29 Nëntori”, në vend “Iliria” dhe “Mehmet Pashë Deralla”./Alsat.mk.








