“Rrugët Shtetërore” ka vendosur që autostrada Shkup – Bllacë, të ndërtohet sipas projektit fillestar
“Rrugët Shtetërore” ka vendosur që autostrada Shkup - Bllacë, të ndërtohet sipas projektit fillestar

Gazetar: Zekirija Haxhiu
Ndonëse fillimisht u vlerësua si projekt i dështuar, i pa realizueshëm dhe në kundërshtim me standardet evropiane dhe se BE-ja nuk do ta pranojë këtë rrugë si autostradë, ndërmarrja publike “Rrugët Shtetërore”, megjithatë ka vendosur që autostrada prej 10km nga Shkupi deri në Bllacë, të ndërtohet sipas projektit fillestar. Megjithatë ky projekt paralajmërohet se mund të ketë modifikime. Drejtori i NP “Rrugë Shtetërore” Koce Trajanovski, për Alsat njofton se qëllimi është që me të hollat që do të shpenzohen, të bëhet sa më shumë punë.
“Paralelisht shkojmë, dmth shkojmë me projektin e vjetër por njëkohësisht, që mos të bie se po e frenojmë atë projekt, njëkohësisht paralelisht në kërkim të modifikimeve, të varianteve të asaj zgjidhjeje. Kërkohet të shohim nëse me ato të holla të bëjmë diçka më tepër, në vend se një, të bëjmë dy rrugë. Për këtë po bëhen analiza, do i bëhet analizë gjithë kësaj, dhe të shohim ajo analizë çfarë do të tregojë, cila është alternativa e ndërtimit të kësaj rruge?”, tha Koce Trajanovski – Drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”.
Vlerësimi i deritanishëm është se projekti mund të kushtojë deri në 240 milion euro por Trajanovski tani thotë se mund të shkojë deri në 260 milion.
“Diku në fillim të qershorit do ta shpallim thirrjen publike për dhënien e ofertave. Para kualifikimi i firmave ka përfunduar. Pres që nëse e shpallim thirrjen gjysmën e parë të qershorit për dorëzimin e ofertave me çmime konkrete, diku në muajin shtator të kemi të zgjedhur realizuesin. Në shtator ne do t’i marrim ofertat. Mund të jenë edhe në gusht. Pasi t’i marrim ofertat, atëherë do të dihet vlera reale. Tjetër gjë është se sa e ke paraparë në projekt, tjetër është se sa e kanë vlerësuar ofertuesit”, tha Koce Trajanovski – Drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”.
Kohë më parë ministri i transportit Aleksandar Nikollovski, në Kuvend publikoi dokumente për ndryshime të trasesë por edhe për shit-blerje të disa pronave përmes të cilave duhet të kalojë traseja e autostradës. Si blerës figuronin edhe disa kompani, për të cilat Nikollovski akuzonte se janë të afërta me BDI-në, pwr çka Nikollovski e ka njoftuar edhe Prokurorinë. Deri tani janë realizuar vetëm dy kilometra nga kufiri i Bllacës drejt Shkupit, por të njëjtat përfundojnë në greminë. Nga aty autostrada duhet të kalojë përmes një kodrine, ku duhet të hapet edhe tunel. Përpos atij tuneli, deri në përfundim të 10 kilometërshit, të parashikuara janë edhe pesë tunele të tjera./Alsat.mk