Rubla ruse zhvlerësohet në nivel rekord, humbi rreth 40 për qind të vlerës së saj

Gazetare: Semra Musai
Sanksionet e ashpra financiare të Perëndimit kundër Moskës po i japin efektet e para. Monedha kombëtare ruse u zhvlerësua në nivel rekord. Respektivisht, rubla humbi rreth 40 për qind të vlerës së saj që nga fundi i tetorit, kur Rusia nisi t’i grumbullojë ushtarët në kufi me Ukrainën.
Goditje shtesë pritet të japin sanksionet e fundit që i aktivizoi Bashkimi Evropian ndaj Bankës Qendrore Ruse. Masat e reja parashikojnë ngrirjen e të gjitha aseteve të bankës qendrore ruse në BE dhe vendet e G7. Kjo masë konsiderohet po aq serioze sa edhe përjashtimi i disa bankave ruse nga rrjeti bankar SWIFT.
“Me këto masa gjysma e rezervave të Bankës Qendrore të Rusisë do të bllokohen”, tha Josef Borrel, përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme.
Rezervat e Rusisë kanë arritur në më shumë se 600 miliardë dollarë këtë muaj. Banka Qendror Ruse nga ana tjetër pa ta ruajtur vlerën e rublës rriti normën bazë të interesit në 20% nga 9,5 % sa ishte deri më tani. Gjithashtu dha urdhër që rusët të shkëmbejnë 80% të të ardhurave të marra nga valuta të huaja në rubla. Sipas autoriteteve ruse kjo mase do të çonte në stabilizimin e rublës dhe do t’i nxiste më shumë investime në Rusi se sa jashtë vendit.
“Ekonomia ruse po përballet me ndryshime drastike. Sanksionet që i vendosën shtetet e huaja zhvlerësuan rublën dhe kufizojnë mundësitë e Bankës Ruse që të shfrytëzojë devizat. Banka Ruse kreu ndërhyrje devizore prej një miliardë dollarëve, te enjten e kaluar dhe të premten. Qeveria mori vendim që ti obligojë ndërmarrjet ti shkëmbejnë 80% të të ardhurave nga eksporti”, u shpreh Elvira Nabiulina, guvernatorë e Bankës Qendrore Ruse.
Por rritja e normës së interesit do të dëmtojë xhepin e qytetarëve. Pasi rusët duhet të paguajnë këste më të larta të kredive dhe për shërbimet e tjera bankare. Pasojat shtesë mund të shkaktojë edhe inflacioni.
Sipas ekspertëve sanksionet po e dëmtojnë rëndë ekonominë ruse.
“Rusisë ngadalë po i mbarojnë paratë. Prandaj Banka Qendrore po përpiqet ta mbajë kapitalin në Rusi duke rritur në mënyrë dramatike normën e interesit. Por askush nuk do t’i mbajë paratë dhe nëse përjashtohet nga sistemi SWIFT, Rusia nuk do të ketë qasje në valutat e huaja. Atëherë Putinit do ti mbarojë buxheti i siguruar për luftën. Tani jemi dëshmitarë se disa banka po bankrotojnë sepse nuk kanë qasje në fonde dhe banka pa likuiditet është sikurse adhurues i biftekut pa biftek”, theksoi Robert Halver, ekspert në Baader Bank.
BE planifikon të vendosë sanksione të mëtejshme kundër aleatit të Rusisë, Bjellorusisë. Ndërkaq në një lëvizje befasuese, presidenti zviceran tha se ishte “shumë e mundshme” që qeveria e tij të vendoste të ngrijë asetet ruse në vend edhe pse më parë kishte deklaruar se do të mbetej neutral. /Alsat.mk