Rumani-Kosovë, sfida e ndërprerë në Bukuresht, lojtarët kosovarë largohet pas thirrjeve raciste
Rumani-Kosovë, sfida e ndërprerë në Bukuresht, lojtarët kosovarë largohet pas thirrjeve raciste
Gazetar: Mahir Thaçi
Ndeshja mes Kosovës dhe Rumanisë nuk ka përfunduar si çdo ndeshje, pasi futbollistët e Kosovës lëshuan fushën në minutat shtesë pas thirrjeve të vazhdueshme raciste ndaj tyre dhe Kosovës. Kapiteni i Dardanëve Amir Rrahmani, i bëri thirrje UEFA-s që të marrë masa dhe t’i mbrojë futbollistët kur përballen me sjellje raciste. Ai tha se në tri raste ka bërë përpjekje që ta bindë gjyqtarin për thirrjet anti-Kosovë në stadium.
“Ka pasur thirrje të vazhdueshme ‘Serbia, Kosova’. Kjo ndodhi për 90 minuta. Në minutat shtesë, nisën thirrjet me fjalë të tjera që s’dua t’i përsëris sepse është turp. I thash për herë të parë gjyqtarit që t’i dëgjojë. Ai s’bëri asgjë. UEFA duhet të vendosë sepse jemi futbollistë, jemi për të përfaqësuar këtu popullin tonë, shtetin tonë që ka të kaluar të rëndë. Një luftë e madhe ka marrë jetën e njerëzve, ka pasur masakra. Kjo është e tepërt. Ndaluni. Të gjithë duhet ta dinë se Kosova është Kosovë ose Kosova është Shqipëri. Kaq. Këtu mbaron”, tha Amir Rahmani, kapiten i Kosovës.
Federata e Futbollit të Kosovës në reagim thotë se ndeshja është ndërpre për shkak të thirrjeve të vazhdueshme raciste dhe anti-Kosovë nga tifozët rumunë, të cilët dëmtojnë rëndë frymën e fair play-it, vlerat e futbollit dhe janë në kundërshtim të plotë me rregulloret dhe parimet e UEFA-s.
“Thirrjet si “Kosovo is Serbia” dhe “Serbia, Serbia”, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurtë për lojtarët tanë”, thonë nga Federata e Futbollit të Kosovës.
UEFA ka lëshuar menjëherë një njoftim në lidhje me ndeshjen mes kombëtares së Kosovës dhe Rumanisë.
“Është ndërprerë ndeshja e Ligës së Kombeve ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës. UEFA do të komunikojë informacione të mëtejshme në kohën e duhur”, thuhet në njoftimin pas ndeshjes”, ka reaguar UEFA.
Media rumune “Fanatik” ka konfirmuar se nga tifozët rumunë kishte thirrje “Serbia, Serbia” dhe se huliganët rumunë kanë kërcënuar që do të hyjnë në fushë. Tani vendimi final mbetet te UEFA, e cila në ditët në vijim duhet të reagojë dhe sjell vendimin për sfidën e ndërprerë në Bukuresht. Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që të ketë thirrje raciste nga tifozët rumunë ndaj futbollistëve të Kosovës. Situatë e ngjashme ishte edhe në shtator të vitit të kaluar kur dy ekipet u takuan në Bukuresht./Alsat.mk