Rusia e vazhdon bashkëpunimin hapësinor me SHBA-në

Rusia ka vendosur që të zgjasë bashkëpunimin hapësinor me Shtetet e Bashkuara deri në vitin 2030. Kryeministri rus, Mikhail Mishustin, miratoi dhe nënshkroi paktin, tha qeveria në një deklaratë.  Marrëveshja është nënshkruar në vitin 1992 dhe deri më tani është zgjatur katër herë.

Pakti vendosi bazat për bashkëpunim mes dy vendeve në projekte të mëdha në hapësirë përfshirë hulumtimet mes Agjencisë Hapësinore të SHBA-së (NASA) dhe asaj ruse Roskosmos. Të dyja vendet kanë punuar bashkë në kuadër të Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, transportimin e astronautëve dhe furnizimeve.
Pas vendimit të SHBA për të ndalur flotën e saj të anijeve kozmike, anijet kozmike ruse Soyuz dhe Progress u bënë mjeti i vetëm i transportit për të arritur në stacion.

Por, kjo praktikë ka ndryshuar kohët e fundit pasi ndërmarrjet private të hapësirës, përfshirë SpaceX, janë afër marrjes së miratimit të NASA-s për të dërguar njerëz në Stacionin Hapësinor. Ky veprim do të privojë Roskosmos nga të ardhurat shumë të nevojshme.

Bashkëpunimi dypalësh ka vazhduar edhe pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë në Ukrainë dhe masave të tjera ndëshkuese.

Muajin e kaluar Departamenti i Tregtisë i SHBA-së tha se po ashpërsonte sanksionet për disa eksporte në Rusi, por ka përjashtuar pjesërisht artikuj të caktuar siç janë ato që lidhen me aviacionin dhe hapësirën.

LEXO EDHE:

Back to top button