Rusia po e përshpejton zgjerimin e NATO-s

Dy vendet nordike, Finlanda dhe Suedia, janë të palidhura ushtarakisht së paku që nga Lufta e Dytë Botërore, edhe pse të dyja i janë bashkuar programit të partneritetit të NATO-s për paqe në vitin 1994 dhe kanë kontribuar në misionet e udhëhequra nga NATO-ja, qoftë në Ballkan, Afganistan apo Irak.
Si vende joanëtare, Helsinki dhe Stokholmi nuk e kanë garancinë e NATO-s se sulmi ndaj një aleati do të nënkuptonte sulm ndaj të gjithëve. Dhe, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ata kanë nisur ta rimendojnë jetën e tyre jashtë NATO-s.
Një sondazh i kryer nga kompania YLE në Finlandë, në muajin mars, ka gjetur se 62 për qind e finlandezëve e mbështesin anëtarësimin e vendit të tyre në aleancë. Për krahasim, në vitin 2017, kjo shifër ka qenë 21 për qind dhe nuk është luhatur shumë me dekada të tëra.
Në Suedi, ndërkaq, sondazhi i kompanisë Kantor-Sifo ka treguar se 59 për qind e suedezëve favorizojnë anëtarësimin në NATO, sidomos nëse Finlanda i bashkohet asaj.
Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, ka thënë më 13 prill se vendi i saj, i cili ndan mbi 1,300 kilometra kufi me Rusinë, do ta marrë vendimin për anëtarësinë në NATO “brenda javësh, jo muajsh”.
“Dallimi midis të qenët partner dhe të qenët anëtar është shumë i qartë dhe do të mbetet i tillë. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të pasur garanci për sigurinë, përveç me mbrojtjen e përbashkët që garanton Artikulli 5 i NATO-s”, ka thënë Marin.
Derisa Finlanda mund të jetë gati brenda ditësh, ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde, ka thënë se Stokholmit mund t’i duhet më shumë kohë.
“Nuk jemi gati. Duhet ta analizojmë këtë. Nuk do të marrim asnjë vendim pa një analizë të plotë. Kështu punojmë ne në Suedi”, ka thënë Linde.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se është e mundur që Finlanda dhe Suedia të anëtarësohen “shumë shpejt”, por aleanca ushtarake nuk ka komentuar se si mund të duket një proces i tillë i shpejtë.
Leo Michel, ish-drejtor i politikave të NATO-s në Pentagon, thotë se, marrë parasysh bashkëpunimin e gjatë midis dy vendeve aspiruese dhe NATO-s, procesi i negociatave të anëtarësimit do të shkurtohet, por anëtarësimi formal do të varet nga ratifikimi që duhet t’ia bëjnë të 30 vendet ekzistuese të NATO-s.
“Finlanda dhe Suedia e njohin NATO-n shumë mirë dhe NATO-ja i njeh ato. Le të supozojmë se negociatat mund të përmblidhen në një ose dy muaj. Por, e panjohura më e madhe është se sa muaj do t’iu duhen të 30 aleatëve për ta ratifikuar anëtarësimin e tyre në parlamentet ose qeveritë e tyre. Kjo është një pasiguri e madhe”.
“Unë besoj se do të jetë vështirë për ta bërë këtë deri në fund të vitit 2022, por jo e pamundur përpara pranverës së vitit 2023”, thotë Michel.
Procesi i ratifikimit për Maqedoninë e Veriut – vendin e fundit që është pranuar në NATO – ka zgjatur rreth një vit, ndërsa negociatat e anëtarësimit me një vend aspirues mund të zgjasin edhe me vite.
Rusia ka paralajmëruar pasoja për NATO-n nëse lejon anëtarësimin e Finlandës dhe të Suedisë. Aleanca ushtarake e NATO-s është formuar në vitin 1949 për t’iu kundërvënë perandorisë sovjetike në Evropë. Sot, Rusia pretendon – pa asnjë bazë – se zgjerimi i NATO-s paraqet kërcënim për sigurinë e saj.
Kjo ka qenë edhe një nga arsyet që ka përmendur presidenti rus, Vladimir Putin, përpara se të niste pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ukraina ka shprehur hapur aspiratën për anëtarësim në NATO.
Colin Wall, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë për Exposenë se është pikërisht agresioni i Rusisë në Ukrainë ai që po shtyn Finlandën dhe Suedinë në krahët e NATO-s. Sipas tij, pushtimi i paprovokuar i Ukrainës është duke ndryshuar politikën e neutralitetit ushtarak – në rastin e Suedisë pas më shumë se dy shekujsh.
“Veprimet e Rusisë në Ukrainë kanë qenë aq të tmerrshme, aq shokuese, saqë kanë eliminuar pothuajse atë mendësinë që ka ekzistuar në Finlandë dhe në Suedi, se Rusia nuk do t’i sulmojë ato. Rusia ka sulmuar një fqinj paqësor – [Ukrainën]. Kështu janë edhe Finlanda dhe Suedia për Rusinë. Andaj, veprimet e Putinit – duke qenë aq të pacipa, aq brutale – mund ta përmbysin politikën e jashtme të Finlandës dhe Suedisë, e cila është e vjetër me dekada apo edhe shekuj”, thotë Wall.
Nëse Finlanda i bashkohet NATO-s, kjo do të thotë se kufiri total tokësor midis territorit të NATO-s dhe Rusisë do të rritej për më shumë se dyfish.
Sipas të dhënave në ueb-faqen e NATO-s, kufiri tokësor i Rusisë me vendet anëtare të NATO-s aktualisht është 1,215 kilometra i gjatë. Me anëtarësimin eventual të Finlandës në NATO, ky kufi do të rritej për 1,340 kilometra – aq sa është gjatësia e kufirit Finlandë-Rusi
Finlanda, po ashtu, është një nga vendet e pakta evropiane që vazhdon rekrutimin ushtarak dhe gati një e treta e popullsisë së saj të rritur janë rezervistë./