Sadije Dura, mundësja e vetme shqiptare në Maqedoni të Veriut
Sadije Dura, mundësja e vetme shqiptare në Maqedoni të Veriut
Gazetar: Avni Tahiri
Nëse keni menduar se sporti i mundjes është vetëm për djem keni gabuar. Sadije Dura, dëshmon të kundërtën.
Sadija e vetmja vajzë shqiptare që tash e 4 vite është anëtare e rregullt e klubit te mundjes Liria ne Çair dhe në çdo garë që ajo merr pjesë nuk kthehet pa medalje.
“Në Maqedoni jam e vetmja shqiptare ndërsa në klubin tim jam e vetmja vajzë, por kam konkurrencë në Maqedoni dhe neper turnirë kemi nga Kosova, Shqipëria, Kroacia e shumë vende tjera”, tha Sadije Dura.
Fillimi ka qenë i vështirë për Sadijen por motoja e sajë është që nuk duhet të dorëzohemi kurrë.
“Kur erdha ditën e parë këtu kishte shumë vajza por u dorëzuan sepse nuk munden të përballojnë trajnimet dhe pastaj mbeta vetëm unë. Por nuk u dorëzove? Jo nuk dorëzohem kurrë. Tani e katër vite je në të njëjtën sallë? Po në të njëjtën”, tha Sadije Dura – Sportiste e mundjes.
“Për këto katër vite unë i kam dy medalje Ballkanike të bronzta. Në Bukuresht të Rumanisë dhe në Serest të Greqisë dhe dy here jam kampione e Maqedonisë. Dhe kam shumë vende të para neper turnirë si në Kosove etj.”, shtoi Sadije Dura – Sportiste e mundjes.
Për të arritur deri të medaljet që Sadija ka grumbulluar i është dashur shumë punë dhe angazhim, ajo ushtron dy here në ditë në 5 ditë të javës.
“Tani e kemi edhe kampionatin Ballkanik që do të mbahet në Shkup dhe do të marr pjesë unë aty”, tha Sadije Dura – Sportiste e mundjes.
“Tre muaj të verës së bashku me trajnerin tim Ramadan Shabani, kemi vrapuar në ora 5 në mëngjes ndërsa ndonjë ditë në ora 10 kishim ushtrime por edhe në mbrëmje. Çdo ditë dhe çdo natë ushtruam, tre muajt e verës nuk u ndalëm aspak”, shtoi ajo.
Porosia e Sadijes është shumë e qartë, të rinjtë të merren sa më shumë me sport.
“Porosia ime është që të merren me sport, jo vetëm me sportin e mundjes por të gjitha sportet janë të mira. Por edhe në mundje që edhe unë të kem konkurrencë. Se për ndryshe nuk ke konkurrencë, pra ftojmë dikën të vije. Po”, theksoi Sadije Dura – Sportiste e mundjes .
Ajo shton se nga shteti nuk është ndihmuar për aktivitetin e saj sportiv, ndërsa klubi ka mbuluar pjesën e angazhimeve me aq sa ka pasur mundësi. Sadije Dura për të realizuar ëndrrën e saj që thotë se një dit dëshiron të shkel në stadiumet olimpike, kërkon ndihmën e institucioneve përkatëse./Alsat.mk