Samiti i BE-së diskuton për Kosovën e Serbinë, Rama: Kosova sot është në një pozitë më të mirë
Samiti i BE-së diskuton për Kosovën e Serbinë, Rama: Kosova sot është në një pozitë më të mirë

Gazetar: Shkelzen Aqifi
Një ditë pas takimit që Kurti e Vuçiq realizuan me liderët evropianë, kryeministri shqiptar Edi Rama u shpreh se udhëheqja e Kosovës bëri gjënë e duhur në takimin e djeshëm të Brukselit, duke pranuar me mençuri propozimin e BE-së më 21 tetor dhe Kosova sot ndodhet në një pozitë shumë më të mirë. Në një reagim në rrjetet sociale, kryeministri tha se ky është një hap shumë i rëndësishëm përpara.
“Urtësia e popullit shqiptar, dhe jo vetëm e tij në fakt, mëson se më mirë vonë se sa kurrë”. Nuk mund ta fsheh kënaqësinë time që udhëheqja e Kosovës më në fund bëri gjënë e duhur në takimin e djeshëm të Brukselit! Duke pranuar me mençuri propozimin e BE-së më 21 tetor Kosova sot ndodhet në një pozitë shumë më të mirë. Ky është një hap shumë i rëndësishëm përpara”, tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Në Kuvendin e Kosovës, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj tha se pranimi i planit të BE-së nga kryeministri Albin Kurti është i duhur. Sipas tij, pas kësaj BE-ja duhet t’i heq sanksionet ndaj Kosovës. Ai i ka bërë thirrje Kurtit që në etapat tjera të veprojë ngushtë, në koordinim me aleatët e sigurisë, duke shfrytëzuar ditën e djeshme për avancimin në NATO.
Nga ana tjetër deputetja e PDK-së Blerta Deliu Kodra akuzoi Kurtin për siç theksoi ajo për ‘dëmet e pariparueshëm në funksionimin e shtetit të Kosovës përmes pranimit të draftit të planit të BE-së”. Sipas saj, përmes këtij drafti, kryeministri Kurti ka pranuar Asociacionin.
Pas takimeve të mbrëmshme të Kurtit me liderët Evropianë, Qeveria e Kosovës njoftoi se kryeministri përsëriti se është i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe draftin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit, por se pala tjetër nuk është.
“Presidenti i Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023”, thuhet në komunikatë.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se marrëveshja mes tyre nuk ishte e mundur, sepse “parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për tjetrën”.
Ai konfirmoi se temë e diskutimeve në Bruksel ishte propozimi i ri i diplomatëve perëndimorë për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili u prezantua në Prishtinë dhe në Beograd më 21 tetor.
Kurti dhe Vuçiq u pritën të enjten në takime të ndara nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Takimet u cilësuan si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, pas sulmit të armatosur në Banjskë. Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve në muajin shkurt në Bruksel, ndërsa për Aneksin e Zbatimit të saj janë dakorduar në muajin mars në Ohër.
Në asnjërin prej dokumenteve, palët nuk i kanë vendosur nënshkrimet. Kurti tha se edhe atëkohë ka qenë i gatshëm të nënshkruajë. /Alsat.mk