Samiti i BE-së në Spanjë, flitet edhe për zgjerim

Samiti i BE-së në Spanjë, flitet edhe për zgjerim

Gazetar: Lluka Andreev

Krerët politikë evropian në dy ditët në vijim do të mblidhen në Granada, në Spanjë. Temë e samitit joformal të vendeve anëtare që do të mbahet të premten do të jetë edhe ajo e zgjerimit të BE-së. Sipas kreut të Këshillit Evropian, Charles Michel, fakti që tema do të vihet në tryezë është sinjal i fuqishëm për vendet kandidate. Ky takim është një uverturë e Samitit të Dhjetorit të udhëheqësve të shteteve anëtare, kur do të merren vendime të mëdha.

“Në Samitin e BE-së në dhjetor, pres vendime në lidhje me zgjerimin për disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas raportit të Komisionit Evropian mbi përputhshmërinë e vendeve kandidate me kërkesat për reforma, i cili pritet të publikohet në javët e ardhshme”, tha Charles Michel, kryetar i Këshillit Evropian.

Në një intervistë për mediat portugeze, Michel shtoi se dhjetori do të jetë një muaj i rëndësishëm, kur përveç perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë, mund të pritet drita jeshile për fillimin e negociatave zyrtare të pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Ai përsëriti se mbetet në qëndrimin për afatin e zgjerimit të Bashkimit deri në vitin 2030. Sipas Michel, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pritur për njëzet vjet për t ‘u bashkuar me BE dhe për këtë arsye ndikimi i Rusisë dhe Kinës tashmë po rritet në rajon.

“Mbetem në këtë synim dhe në këtë afat. Kjo është e qartë për të gjithë. Pse është e rëndësishme kjo datë? Sepse është një nxitje e qartë për të gjithë ne që të përgatisim dhe përshpejtojmë përpjekjet tona. Pa një datë, kishte një qëllim të përbashkët, por ishte e lehtë të shtyhej dhe të mos merreshin vendimet e nevojshme”, thotë Charles Michel, kryetar i Këshillit Evropian.

Ndërkohë, Financial Times raportoi se Bashkimi Evropian gjatë verës ka punuar në një studim për të zbuluar se sa do t’i kushtonte Brukselit zgjerimi i Bashkimit në vitin 2030 me nëntë vende të reja. Sipas përllogaritjes, zgjerimi do të kushtojë rreth 256 miliardë euro. Përveç vendeve të Ballkanit Perëndimor, në llogaritje hynë edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Vetëm Ukrainës do t’i duheshin 183 miliardë.

Ndërsa BE të premten do të debatojë për zgjerimin dhe migracionin, nesër në të njëjtin vend në rreth më të gjerë do të mbahet samiti i Komunitetit Politik Evropian, i cili përfshin të gjitha vendet e kontinentit. Delegacionin e Maqedonisë e  kryeson kryeministri Dimitar Kovaçevski. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button