Saul Niguez: Rikuperimi i fundit, ishte më i vështiri në karrierën time
Mesfushori spanjoll, Saul Niguez ka hapur rrugën e tij të gjatë të rikthimit nga dëmtimi në huazimin e tij te Sevilja këtë sezon. Me karrierën e tij në një udhëkryq përpara sezonit 2024/25, reprezentuesi spanjoll pranoi një huazim një sezonal nga Atletiko Madrid, për të ringjallur karrierën e tij në La Liga.
“Los Rojiblankos” ishin të lumtur ta largonin atë, me kontratën e tij që skadon në vitin 2026 dhe e ardhmja e tij në Madrid në dyshim. Megjithatë, fillimi i tij i jetës në Andaluzi u ndërpre nga një dëmtim i ri i, me një problem në ijë që e la mënjanë atë që nga mesi i shtatorit.
Teksa përgatitet të paraqitet sërish përpara fundit të vitit 2024, 30-vjeçari pranoi se rikuperimi i fundit ka qenë më i vështiri në karrierën e tij, duke përfshirë një periudhë kthimi në Madrid për të ndihmuar rikuperimin e tij.
“Kur stërviteshim në stadium para derbit, kalova keq, kërkova të bëja një pjesë të rikuperimit në Madrid sepse nuk isha mirë mendërisht. Pushimi ishte i mirë për mua pasi më mungoi skuadra dhe gjëja e rëndësishme është të kontribuoj ende nga tribuna apo bankina”, ka thënë fillimisht Saul për Marca.
“Qëllimi im ka qenë gjithmonë të jem sa më afër bashkëlojtarëve të mi. Ndihem shumë më mirë, çdo ditë që kalon futem më shumë në ritëm. Kam gjashtë ditë që stërvitem me ekipin”, përfundoi mesfushori spanjoll.
Sevilja do të presë Osasunën në La Liga këtë fundjavë, dhe nëse Saul nuk paraqitet, ai duhet të presë ndeshjen e mesjavës së Kopa del Rej me Olot.