Scholz e shkarkon ministrin e Financave, koalicioni qeverisës buzë dështimit
Scholz e shkarkon ministrin e Financave, koalicioni qeverisës buzë dështimit
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, njoftoi se e ka shkarkuar ministrin e Financave, Christian Lindner, gjë që mund ta minojë koalicionin qeverisës trepartiak, i cili varet nga partia pro-biznesit e Lindnerit. Scholzi e bëri të ditur vendimin përmes një konference për media, pas disa javëve mospajtimesh në mesin e partnerëve të koalicionit për gjetjen e një mënyrë për ta forcuar ekonominë e dobësuar të vendit. Ai gjithashtu njoftoi se do të kërkojë votëbesim në janar. Lindner i kishte kundërshtuar rritjet tatimore apo ndryshimet në kufizimet e rrepta të Gjermanisë ndaj futjes në borxh. Lindner iu përgjigj shkarkimit të tij duke akuzuar Scholz-in se “nuk e ka njohur nevojën për një zgjim të ri ekonomik në vendin tonë.
“Ndihem i detyruar ta ndërmarr këtë hap për ta parandaluar dëmtimin e vendit tonë. Ne kemi nevojë për një qeveri efektive, e cila e ka fuqinë për të marrë vendime të nevojshme për vendin tonë. Ai e ka thyer besimin tim shumë shpesh. Ai madje në mënyrë të njëanshme e anuloi marrëveshjen për buxhetin. Ne ishim pajtuar për këtë marrëveshje pas negociatave të shumta. Nuk ka më themel për besim për ta vazhduar bashkëpunimin”, deklaroi Olaf Sholc, Kancelar i Gjermanisë.
“Olaf Scholz prej kohësh nuk ka arritur të njohë nevojën për një zgjim të ri ekonomik në vendin tonë. Ai prej kohësh ka minimizuar shqetësimet ekonomike të qytetarëve tanë. Edhe tani ai vë në pikëpyetje vendimet e nevojshme që qytetarët të krenohen sërish me Gjermaninë”, tha Kristian Lindner, ministër i shkarkuar i financave. /Alsat.mk