Scholz: Thirrje për luftë kundër antisemitizmit e urrejtjes

Scholz: Thirrje për luftë kundër antisemitizmit e urrejtjes

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, kancelari Olaf Scholz ka bërë thirrje për luftë të vendosur kundër antisemitizmit dhe racizmit në Gjermani.

Në video mesazhin, “Kancelari kompakt”, politikani socialdemokrat ka kujtuar ditën e çlirimit të kampit të përqendrimit, Aushvic para 79 vjetësh dhe miliona viktima të nacionalsocialistëve.

“Demokracia jonë rezulton nga përgjegjësia, që rrjedh nga historia gjermane dhe nga mësimi prej saj kurrë më. Kurrë më përjashtim dhe shfuqizim të drejtash, kurrë më ideologji racash dhe dehumanizim, kurrë më diktaturë. Është detyra themelore e këtij shteti të kujdeset për këtë”, ka thënë Scholz. Për këtë arsye shteti duhet të luftojë “çdo formë të antisemitizmit, të propagandës së terrorit dhe antihumanizmit”, pohoi ai.

Në të gjithë Gjermaninë sot në Ditën Përkujtimore të Viktimave të Holokaustit vendosen kudo kurora për përkujtimin e viktimave të nazistëve, por zhvillohen edhe protesta kundër ekstremistëve të djathtë, në vazhdën e protestave disa javore pas publikimit të raportimeve për plane “riemigrimi” të ekstremistëve të djathtë me politikanë të AfD-së, që për ekstremistët nënkupton dëbimin e miliona të huajve, edhe atyre me pasaportë gjermane.

Parimi “kurrë më” nuk i drejtohet vetëm shtetit. Ai kërkon vigjilencën e të gjithëve. Demokracia jonë nuk është dhënë nga lart, ajo është bërë nga njerëzit. Në këtë kontekst, kancelari gjerman vlerësoi protestat e qindra mijëra gjermanëve kundër ekstremizmit të djathtë në javët e kaluara. “Vendi ynë tani është ngritur në këmbë. Miliona qytetare e qytetarë dalin në rrugë për demokraci, respekt dhe humanizëm”, ka theksuar Scholz në mesazhin me video. Pikërisht tani në kohën e rritjes së populistëve të djathtë në BE, që “nxisin frikën dhe mbjellin urrejtjen”, dhe në kohën e raportimeve “për neonazistë dhe rrjetet e tyre të errëta”, është me shumë rëndësi të mbrojmë demokracinë. Pikërisht këto njerëzit duhet të dëgjohen dhe të ngrihen “kundër antisemitizmit, kundër racizmit, kundër urrejtjes njerëzore dhe për demokracinë tonë”, ka kërkuar kancelari gjerman.

LEXO EDHE:

Back to top button