Sekuestrohen armë dhe kokainë, 3 të arrestuar në Tiranë


Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona. Blutë bëjnë të ditur se janë evidentuar dhe goditur dy raste në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe atë të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe përshtatjes së lokalit për përdorim të lëndëve narkotike.

Mësohet se në pranga kanë rënë Rexhep Lloci, Ramadan Çorja dhe Vangjel Kaziu. Po ashtu, janë sekuestruar 2 armë zjarri dhe lëndë narkotike e llojit kokainë.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë kontrollet e pandërprera të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Falë bashkëpunimit me qytetarët evidentohen dhe goditen dy raste në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe atë të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe përshtatjes së lokalit për përdorim të lëndëve narkotike.

Vihen në pranga 3 shtetas.

Sekuestrohen 2 armë zjarri dhe lëndë narkotike e llojit kokainë.

Në zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, për kontrollin e të gjithë territorit, me qëllim evidentimin e personave që shpërndajnë lëndë narkotike dhe për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo i mbajnë ato në banesë, falë dhe informacioneve të marra nga qytetarët, u goditën 2 raste të armëmbajtjes pa leje, konkretisht:

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. Ll., 18 vjeç, pasi në fshatin Shpat Rovë, Tiranë, u kap duke qarkulluar me një armë zjarri pushkë që e mbante të fshehur në një thes.

Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve V. K., 24 vjeç dhe R. Ç., 30 vjeç, si dhe u referuan materialet për shtetasin K. D., pasi në Bathore, në rrugën “Demokracia”, në lokalin në pronësi të shtetasit V. K, shtetasit R. Ç dhe K. D., janë konstatuar duke pirë lëndë narkotike të llojit kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit R. Ç, 30 vjeç, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme në ngarkim të shtetasit B. Ll., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, në ngarkim të shtetasit R. Ç, për veprat penale“Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, dhe shtetasin V. K., për veprën penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge’’.

LEXO EDHE:

Back to top button