Sela: 20% të zëvendësohet me gjuhën shqipe

Sela: 20% të zëvendësohet me gjuhën shqipe

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Nëse askush nuk ka asgjë kundër gjuhës shqipe në Maqedoni, atëherë le të hapet Kushtetuta, dhe formulimi 20% le të zëvendësohet me gjuhën shqipe. Kjo është kërkesa e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, pjesë e Frontit Europian, Ziadin Sela ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski. Sipas Selës, forma aktuale e gjuhës shqipe në Kuvend, nuk ka qenë dhe nuk është e plotë, por megjithatë, arsyetohet se kjo ka qenë maksimumi që ka mundur të arrihet bazuar në atë se sa e lejon Kushtetuta.

“Ja ku e kanë mundësinë meqë nuk kanë asgjë kundër. Bashkarisht, 80 është numri i deputetëve që duhet. Ne jemi si ASH edhe si Front Europian jemi të gatshëm që të japim votat tona dhe ta vendojmë gjuhën shqipe në Kushtetutën e vendit, aty ku e meriton bazuar edhe te autoktonia e kësaj gjuhe në këto troje”, deklaroi Ziadin Sela – ASH/FE.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në intervistë për Alsat u apeloi BDI-së dhe partive të tjera në opozitë që të tejkalojnë inatet politike dhe të ulen bashkërisht ta avancojnë shqipen në Kushtetutë. Për këtë, Sela tha se ka dëshmuar se është i gatshëm për bashkëpunim, duke mos përjashtuar edhe VLEN-in.

“Për gjëra që janë në interes shqiptar, unë kam ditur që të bëhem bashkë edhe me kundërshtarët më të mëdhenj politik. Dhe sot Ziadin Selën dhe Aleancën për Shqiptarët e ke pjesë të Frontit Europian. Me këto tjerët, kam pasur bashkëpunim, por jam tradhtuar nga bashkëpunimet që kam bërë me ta por përsëri asgjë personale kur bëhet fjalë për gjuhën”, shtoi Ziadin Sela – ASH/FE.

BDI nga ana tjetër vazhdon të kritikojë qëndrimet e Kurtit për gjuhën shqipe. Për dallim nga Sela, BDI nuk ka përgjigje nëse janë të gatshëm për bashkëpunim me VLEN-in. Në pyetjen e Alsat për bashkëpunim, Ardita Dani e integristëve nuk kishte përgjigje të prerë, por akuzoi Kurtin.

“Deklarata e kryeministrit të Kosovës, ishte deklaratë skandaloze, e papranueshme dhe e dëmshme për ne si shqiptarë të RMV-së. Sepse kryeministri i Kosovës në vend që të dalë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe të avancimit të tyre, ai doli në anën e atyre që janë kundër të drejtave të shqitparëve. Për fat të keq u bë në një vijë me VMRO-DPMNE-në”, tha Ardita Dani – BDI.

Këto deklarata të BDI-së, Izet Mexhiti nga VLEN, i quajti si histerike.

“Histerike janë. Njerëzit janë në panikë, nuk kanë vizion dhe assesi të pajtohen me realitetin e ri se gjenden në opozitë”, tha Izet Mexhiti – Zv.kryeministër i parë .

Në Gjykatën Kushtetuese prej vitesh ka iniciativë ndaj tre dispozitave të ligjit për gjuhët që kanë të bëjnë me bankënotat, uniformat dhe për seancat gjyqësore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button