Sela nuk mohon bashkëpunimet parazgjedhore

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do të garojnë si koalicion edhe në zgjedhjet lokale të tetorit dhe janë në përpilim e sipër të Platformës së tyre politike. Këtë e konfirmoi kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, në takimin me gazetarët. Kryesia qendrore e partisë ka propozuar që të rikandidojë tre kryetarët aktual të kësaj partie në komunat me të cilat ajo drejton. Nuk ka vendim për kandidatët e komunave të tjera.

 “Është akoma herët për kandidatët. Ne kemi struktura partiake, degët, Kuvendin Qendror dhe nuk është që vendos unë për kandidatët. Jemi në proces e sipër. Në mbledhjen e fundit të kryesisë u vendos që në të tre komunat me të cilën udhëheqim tani të jenë kandidatët e njëjtë. Bëhet fjalë për Arben Taravarin në Gostivar, Isen Shabanin në Vrapçisht dhe Albon Xhemailin në Bogovinë”.

Sela vetë nuk do të kandidojë për Komunën e Strugës. Ai nuk tregoi se me cilat parti dhe në cilat komuna është i gatshëm të bashkëpunojë. Lëvizjet e tyre do të varen nga lëvizjet e oponentit politik. I pyetur nëse është i mundur një bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në tashmë që LSDM-ja dhe BDI-ja kanë paralajmëruar një bashkëpunim mes tyre, Sela nuk e mohoi, por tha se deri tani s’ka pasur të tilla bisedime me partinë opozitare maqedonase. “Nuk ka asgjë të keqe në bashkëpunimet dhe koalicionet e tilla”, tha Sela.

Kreu i Aleancës për Shqiptarët nuk beson në strategjinë e “gjelbër” të BDI-së. Sipas tij, të gjitha partitë kanë në programet e tyre strategji për ambientin dhe ekologjinë dhe se ajo nuk duhet të përvetësohet nga BDI-ja. Sela mendon se BDI-ja kalon në periudhë të vështirë. Shpreson se zërat e brendshëm kundër në parti këtë herë nuk janë vetëm lojë politike për të marrë edhe votat e të pakënaqurve.

 “Shteti ka nevojë për pastrimin e mbeturinave politike, nga radhët e para të “të gjelbërve” të BDI-së. Ata, në zgjedhje parlamentare prezantohen si UÇK kurse në zgjedhje lokale si “të gjelbër”. Kjo nuk kalon kështu para qytetarëve. Ata e dinë se në çfarë ambienti jetësor jetojnë, sidomos atje ku qeveris BDI-ja.”

Sela para gazetarëve konfirmoi zgjedhjen e Remzi Mehmedit si shef i Shtabit zgjedhor të partisë.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button