Selmani thotë se koalicionet parazgjedhore do të shmangin çështjet ndëretnike gjatë fushatës, po jo edhe keqpërdorimet e rasteve të caktuara

Koalicionet parazgjedhore ndërmjet subjekteve politike në të dyja taborët, pushtet dhe opozitë do të ndikojnë që kësaj radhe për dallim prej herave të tjera të kemi një fushatë më ndryshe. Kështu vlerëson Imer Selmani, ish kryetar i Komunës së Sarajit dhe njohës i mirë i zhvillimeve politike në vend.

“Mendoj se, edhe pres gjithashtu se së pari herë këto zgjedhje lokale dhe kjo fushatë që do t’i paraprijë, do të jetë një fushatë më një cilësi pak më ndryshe dhe kjo cilësi pikërisht temën e çështjeve ndëretnike, ndërnacionale nuk do ta ketë temë fokusi, për arsye se, së pari herë kemi të bëjmë me koalicione ndëretnike parazgjedhore lokale. Kjo është një cilësi dhe kualitet i ri dhe nuk do t’i ngarkojë qytetarët me tema të cilat shpeshherë ngjallin emocione dhe bëjnë një ngërç ndër-qytetarë dhe ndëretnik”, tha ish kryetar i Komunës së Sarajit për Alsat.

Megjithatë sipas Selmanit, edhe gjatë kësaj fushate do të ketë përplasje rreth integrimit, gjegjësisht mos-integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

“E dyta domosdo edhe këto zgjedhje do të ketë temat qendrore, me siguri se integrimet, ose mos-integrimi i Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe arsyet e saj do të jenë temë e qëndrimeve diametrale mes VMRO-së e cila kryesisht këtu kritikon, dhe LSDM-së dhe partive aleate sikur BDI-ja dhe BESA që qëndrojnë në pozicionet e tyre, që favorizojnë punën dhe arsyeja është te bllokada e Bullgarisë”, deklaroi Selmani.

Imer Selmani, po ashtu tha se subjektet politike dhe kandidatët që garojnë në këto zgjedhje, duhet të përmbahen nga premtimet e mëdha, dhe të premtojnë vetëm atë që realisht edhe mund ta realizojnë.

Ai pohoi se qytetarët presin që partitë politike dhe kandidatët bashkë me këshillat të ofrojnë zgjidhje të çështjeve infrastrukturore, lokale, siç janë shkollat, rruga, ndriçimi, uji, kanalizimi. Sipas tij, këtu duhet të jetë beteja kryesore.

“Qoftë se vërtet kjo beteje këtu ngelët, premtimet dhe premtuesit duhet të jenë shumë të sinqertë dhe shumë kalkulues që të premtojnë atë që realisht mund ta realizojnë. Për ndryshe pas zgjedhjeve mund të vijë zhgënjimi i madh dhe ata kandidatë dhe partitë politike mund të pësojnë keq në zgjedhjet e ardhshme”, tha Selmani për ww.alsat.mk.

Selmani nuk përjashton mundësinë që edhe gjatë kësaj fushate zgjedhore të ketë keqpërdorime të rasteve të caktuara, siç ishte rasti me djegien e spitalit modular në Tetovë, ku fatkeqësisht mbetën të vdekur 14 persona.

“Pres para së gjithash një fushatë të lirë dhe demokratike, më e mirë se zgjedhjet e kaluara, më e mirë se fushatat tjera edhe pse me siguri se do të ketë detyrimisht ngacmime dhe raste të keqpërdorimeve edhe të fateve personale sikur që ishte fatkeqësia e Tetovës”, u shpreh ai.

“Besoj se edhe pse nuk duhet ajo do të jetë gjithashtu një temë e cila do të ndjek fushatën. Por shpresoj dhe duhet, patjetër që duhet kandidatët të fokusohen në ofertat dhe programet e tyre se si do të mund të përmirësojnë cilësinë e jetesës, kushtet e punës, si do të zvogëlohet burokracia në pushtetin lokal, si më lehtë bizneset, afaristët do të mund të marrin lejet e punës dhe thjeshtë si do të mund të krijohen kushte, vende të punës që të mund të rejat dhe të rinjtë tanë të qëndrojnë këtu dhe të shohin perspektivën në vendlindjen e tyre”, deklaroi Imer Selmani, ish kryetar i Komunës së Sarajit./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button