Serbi, studentët paralajmërojnë mosbindje civile
Serbi, studentët paralajmërojnë mosbindje civile

Nëse Qeveria e Serbisë nuk i shpall zgjedhjet e parakohshme parlamentare deri në mbrëmjen e 28 qershorit, “qytetarët do të jenë të gatshëm t’i marrin të gjitha masat ekzistuese të mosbindjes civile”. Kështu paralajmëruan studentët protestues serbë, përpara tubimit të paralajmëruar në Beograd, për datën 28 qershor. Kërkesë e dytë e studentëve është ndërprerja e protestës në qendër të Beogradit, ku kundërshtarët e studentëve protestues, të cilët e cilësojnë veten si “studentë që duan të mësojnë”, kanë ngritur kampe tash e tre muaj. Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se autoritetet do të vazhdojnë t’i arrestojnë ata që “përgatisin vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë”, në prag të protestës antiqeveritare të thirrur për të shtunën. Një ditë më parë, policia serbe i arrestoi gjashtë njerëz për gjoja planifikimin e “ndryshimit të Qeverisë në mënyrë të dhunshme”. “Aksioni për arrestimin dhe identifikimin e këtyre organizatave terroriste do të vazhdojë patjetër. Presidenti i Serbisë do të vazhdojë takimet me shërbimet e sigurisë dhe policinë e lartë me qëllim ruajtjen e rendit kushtetues dhe parandalimin e gjakderdhjes që ata planifikuan në Vidovdan”, tha Bërnabiq për televizionin Pink. /Alsat.mk