Serbia me propagandën e radhës, film për “tregti organesh të serbëve në Kosovë”
Serbia me propagandën e radhës, film për “tregti organesh të serbëve në Kosovë”

Serbia edhe një herë është duke bërë përpjekje që përmes artit të deformojë historinë, ka alarmuar Ministria e Kulturës së Kosovës, pas raportimeve në mediat serbe se kanë filluar xhirimet e filmit “Harvest”, që lidhet me “Shtëpinë e Verdhë” në Shqipëri, ku serbët pretendojnë të jetë kryer trafikim organesh nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Në një reagim të MKRS-së të premten pasdite thuhet se “politika serbe po ndërton narracion të urrejtjes ndëretnike dhe po vazhdon me nxitje të konfliktit përmes filmit e instrumenteve tjera të kulturës, të cilat në kushte normale do të duhet të ishin në funksion të demokracisë e bashkëjetesës”.
MKRS-ja ka kujtuar se ky nuk është filmi i parë me propagandë të Serbisë. Ngjashëm ishte realizuar edhe filmi dokumentar me metrazh të gjatë “Shtëpia e Verdhë” i autores Slagjana Zariq.
Ministria e Kulturës ka thënë se përpjekja e Serbisë duhet të alarmojë bashkësinë ndërkombëtare. E ka quajtur të trishtë e të papranueshëm faktin që mjeti kulturor të keqpërdoret për të shpërndarë propagandë.
“Tentativat e tyre të vazhdueshme për të deformuar realitetin, si në rastin e filmit “Harvest”, duhet të alarmojnë autoritetet relevante dhe bashkësinë ndërkombëtare. E trishtë dhe e papranueshme të shohim se një mjet kulturor si filmi po keqpërdoret për të shpërndarë propagandë. Por, përtej tentativave për të rishkruar historinë përmes kinematografisë, e vërteta triumfon gjithmonë në sfidë me propagandën”, thuhet në reagim.
Kohë më parë, Serbia pati financuar edhe filmin “Istina o Račku” nën regji të Stefan Krasiqit e me skenar të Dushan Bulliqit. Dhjetë milionë dinarë, (nja 85 mijë euro) ia pati dhenë shteti i Serbisë këtij projekti, i kategorizuar si film dokumentar. “’Istina o Račku’ qe analizë e llojit të vet për ngjarjet në fshatin Reçak të Kosovës dhe në tërësi zbardh krejt të pavërtetat të cilat janë përdorur për arsyetimin e nisjes së intervenimit të NATO-s, në të asokohshmen Republikë Federative të Jugosllavisë, më 1999. Veçanti e këtij filmi, është se rrëfimi për atë ngjarje vjen prej Danica Marinkoviqit, gjyqtares hetuese nga Prishtina që e ka udhëhequr rastin, dhe nipit të saj që studion drejtësi”, është arsyetimi i komisionit që e përzgjodhi projektin.