Sezoni turistik i pasigurt në Ohër dhe Strugë

Sezoni turistik i pasigurt në Ohër dhe Strugë

Gazetar: Miki Trajkovski

Ohri dhe Struga po përballen me sezon të pasigurt turistik. Numri i turistëve nga Holanda dhe Polonia pritet të jetë deri në 50% më i ulët këtë verë, thonë gastronomët për Alsat, edhe pse mijëra mysafirë nga këto dy vende kanë vite që pushojnë pranë liqenit të Ohrit. Arsyeja për këtë është anulimi i tre operatorëve kryesorë turistikë. Në vend të Ohrit, njëri nga dy operatorët turistikë polakë do të fluturojë për në Tiranë kurse i dyti për në Shkup me numër shumë më të vogël të mysafirëve, ndërsa njëri nga dy nga Holanda i ka anuluar plotësisht prenotimet.

“Një nga operatorët më të mëdhenj turistikë holandezë nuk do të operojë destinacionin tonë në vitin 2025 kurse në vitin 2019 kishte fluturime çarter nga maji deri në tetor çdo ditë. Gjatë atij viti, 13,500 turistë mbërritën në Maqedoni përmes atij operatori dhe gjeneruan më shumë se 100,000 bujtje”, tha Lupço Janevski- punonjës turistik.

Kjo mund të jetë goditje serioze për turizmin, duke çuar në mosmbushjen e plotë të kapaciteteve të akomodimit këtë verë.

“Një udhëtim me çarter më pak ose dy udhëtime me çarter në javë, qoftë nga Polonia apo Holanda, sigurisht që do të reflektohen dhe do të ketë më pak impakt. Ashtu si në të gjithë botën, edhe këtu po shohim rritje të çmimeve, kjo sigurisht që ka ndikim. Gjithashtu, disa gastronom vendosën ta heqin shërbimin “all inclusive” këtë vit, që është shumë domethënëse për holandezët dhe, mbi të gjitha, për tregun polak”, tha Jakim Malenko – pronar i agjencisë turistike.

“Viti 2025 do të tregojë se po bëhemi destinacion ekskursioni, destinacion vetëm për udhëtime ditore. Operatorët turistikë do të drejtohen drejt aeroportit në Tiranë, Maqedonia do të bëhet gjithnjë e më shumë si destinacion ekskursioni njëditor ose dyditor. Jemi mbrapa si destinacion dhe duhet të fillojmë të mendojmë për forma të reja të turizmit”, theksoi Lupço Janevski- punonjës turistik.
Hotelierët i bëjnë thirrje shtetit që të fillojë të gjejë tregje të reja, nga të cilat do të vinin turistë gjatë gjithë vitit kurse gjatë verës të zëvendësojë ato që rajoni tashmë po i humb, si dhe shumë linja të tjera ajrore për në aeroportin e Ohrit./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button