SHBA, 3 mijë vdekje për të tretën ditë me radhë

Për të tretën ditë me radhë numri i vdekjeve në SHBA si pasojë e COVID-19-s arriti në 3,000 raste, pasuar nga një numër rekord infeksionesh të reja të shënuara ditën e enjte. Ky zhvillim vjen ndërsa vendi po përgatitet të dërgojë rreth gjashtë milionë doza të tjera të një vaksine të re pas marrjes së autorizimit me gjasë të premten.

Shtetet e Bashkuara raportuan një numër rekord prej 239.903 rastesh të reja të enjten, që e çoi numrin e përgjithshëm të infeksioneve mbi 17 milionë që prej fillimit të pandemisë.

Numri i të vdekurve në SHBA tashmë është mbi 311 mijë.

Ekspertët e shëndetësisë kanë paralajmëruar një krizë të thellë këtë dimër ndërsa njësitë e kujdesit intensiv (ICU) po mbushen dhe spitalet po vendosin shtretër edhe në korridore. Sipas agjencisë Reuters shtrimet në spital shënuan një rekord të ri të enjten me 114 mijë raste.

Për të ndihmuar në ngadalësimin e pandemisë, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka premtuar të punojë me shpejtësi drejt dhënies së autorizimit për përdorim emergjent të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë Moderna. Një javë më pare FDA dha autorizimin për vaksinën e parë atë të prodhuar nga kompania Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech.

Të enjten një grup këshilltarësh të jashtëm të FDA-së morën vendim me shumicë dërrmuese për të rekomanduar përdorimin urgjent të vaksinës së koronavirusit të kompanisë Moderna. Autorizimi përfundimtar pritet të jepet të premten.

Sekretari i Shëndetësisë Alex Azar i tha rrjetit televiziv CNBC të enjten se 5.9 milionë doza të vaksinës së Moderna-s ishin përcaktuar të shpërndaheshin në të gjithë vendin duke nisur nga kjo fundjavë.

Të dy vaksinat merren në dy doza, që variojnë nga 21 në 28 ditë distancë nga njëra-tjetra.

Autoritetet shëndetësore kanë siguruar amerikanët se provat klinike në shkallë të gjerë dhe shqyrtimi shkencor i të dhënave tregojnë se vaksinat janë të sigurta dhe efektive.

Të premten Nënpresidenti Mike Pence u vaksinua kundër koronavirusit në publik, duke u bërë zyrtari i profilit më të lartë deri më tani që vaksinohet.

Ndërsa Presidenti në largim Donald Trump ka inkurajuar njerëzit që të vaksinohen.

Të premten Presidenti amerikan Donald Trump shkruante në një postim në Twitter se vaksina e Moderna është miratuar dhe se do të shpërndahej menjëherë, megjithëse Administrata e Ushqimit dhe Barnave nuk ka bërë ende asnjë njoftim publik mbi vendimin e saj.

Sipas zyrtarëve të tranzicionit Presidenti i zgjedhur Joe Biden, i cili pritet të marrë detyrën më 20 janar, do ta vaksinohet publikisht javën e ardhshme.

LEXO EDHE:

Back to top button