SHBA dhe BE kërkojnë lirimin e Navalnyt

Shtetet e Bashkuara dhe disa qeveri evropiane kërkuan lirimin e politikanit rus të opozitës, Alexei Navalny, nga paraburgimi. Navalny, 44 vjeç, u ndalua nga policia menjëherë pasi fluturimi i tij nga Gjermania zbarkoi në Moskë, të dielën pasdite. Ai po kthehej në Rusi pesë muaj pas helmimit me agjentin nervor Noviçok, për të cilin ka fajësuar autoritetet ruse. Qeveria e presidentit Vladimir Putin e mohon helmimin e Navalnyt. Megjithatë, pohimet e tij janë mbështetur nga raportet e gazetarëve hulumtues. Duke reaguar ndaj ndalimit të tij, SHBA-ja dhe BE-ja bënë thirrje për lirim të menjëhershëm. Sekretari amerikan i Shtetit tha se autoritetet ruse po përpiqen t’i heshtin kritikët e tyre.

“Liderët e sigurt politikë nuk kanë frikë nga zërat konkurrues, as nuk kryejnë dhunë, as nuk i ndalojnë padrejtësisht kundërshtarët politikë”, tha Pompeo. Këshilltari për siguri kombëtare i presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden, u shpreh në frymë të ngjashme. “Sulmet e Kremlinit ndaj Navalnyt nuk janë thjesht shkelje e të drejtave të njeriut, por fyerje e popullit rus, që dëshiron t’i dëgjohet zëri”, tha Jake Sullivan. Franca, Italia dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Navalnyt. Navalny u ndalua nën disa akuza të mëhershme për përvetësim fondesh. Sipas Navalnyt, akuzat e tilla janë të motivuara politikisht.

 

LEXO EDHE:

Back to top button