SHBA-ja kërkon transparencë nga Izraeli, Miler: Fëmijët nuk janë terroristë

SHBA-ja kërkon transparencë nga Izraeli, Miler: Fëmijët nuk janë terroristë

Shtetet e Bashkuara i kërkuan Izraelit të jetë plotësisht “transparent” lidhur me sulmin ajror në një shkollë qendrore të Gazës, e mbushur me njerëz të zhvendosur të enjten në mëngjes. SHBA-ja i bëri thirrje Izraelit të identifikojë publikisht luftëtarët e Hamasit që tha se i kishte vrarë, ashtu siç ushtria izraelite dha emrat e nëntë prej tyre. SHBA ka parë raporte se 14 fëmijë janë vrarë në sulm.

“Ne kemi qenë në kontakt me qeverinë e Izraelit për këtë sulm. Ata na kanë thënë se synonin 20 deri në 30 anëtarë të Hamasit dhe grupe të tjera militante. Në të njëjtën kohë, ne kemi parë raportet në terren, kemi parë videot. Kemi parë pretendimet se 14 fëmijë janë vrarë në këtë sulm. Nëse është e saktë se 14 fëmijë janë vrarë, ata nuk janë terroristë.
Qeveria e Izraelit ka thënë se do të publikojë më shumë informacion në lidhje me këtë sulm. Ne presim që ata të jenë plotësisht transparentë në bërjen publike të këtij informacioni”, tha Methju Miler, zëdhënës i DASH.

Një sulm izraelit herët të enjten në një shkollë që strehonte palestinezët e zhvendosur në Gazën qendrore vrau më shumë se 35 persona, duke përfshirë gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë. Ushtria izraelite tha se militantët e Hamasit po vepronin nga brenda shkollës. Por dëshmitarët dhe zyrtarët e spitalit thanë se sulmi para agimit goditi shkollën al-Sardi, e drejtuar nga agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë e njohur me shkurtesën UNRWA. Shkolla ishte e mbushur me palestinezë që kishin ikur nga ofensivat dhe bombardimet izraelite në Gazën veriore, thanë ata.

“Në ishin në shkollën në Niseirat. Dëgjuam 5 raketa të cilat goditën shkollën. Dola duke vrapuar dhe gjeta tre klasa në zjarr. Babai im u godit nga raketa, gjithashtu edhe 3 familjarë të tjerë ranë martirë”, tha Maha Isa, e strehuar në shkollë.

Shkollat në të gjithë Gazën kanë funksionuar si strehimore që nga fillimi i luftës, e cila ka dëbuar shumicën e popullsisë së territorit prej 2.3 milionë palestinezësh nga shtëpitë e tyre. Ofensiva e Izraelit ka vrarë të paktën 36,000 palestinezë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button