SHBA-ja mund të mbetet pa para pas një muaji

SHBA-ja mund të mbetet pa para pas një muaji

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, paralajmëroi se SHBA-ja mund të mbetet pa para deri më 1 qershor, nëse Kongresi nuk arrin ta rrisë tavanin e borxhit.

Arritja e tavanit të borxhit do të thotë se Qeveria nuk mund të marrë më shumë para hua.

Yellen i kërkoi Kongresit që të veprojë “sa më shpejt që të jetë e mundur” për të adresuar tavanin prej 31.4 trilionë dollarësh.

Presidenti Joe Biden thirri një takim të udhëheqësve të Kongresit për këtë çështje, më 9 maj.

Tavani i borxhit është rritur, zgjatur ose rishikuar 78 herë në SHBA që nga viti 1960.

Në këtë rast, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë kërkuar shkurtime drastike të shpenzimeve dhe ndryshimin e disa aspekteve të agjendës së Bidenit – duke përfshirë programin e tij të faljes së huave studentore dhe kreditë e taksave të energjisë së gjelbër – në këmbim të votave për të rritur tavanin e borxhit.

Kjo ka nxitur kundërshtimin e demokratëve në Senat dhe të vetë Bidenit, i cili ka thënë, javën e kaluar, se çështja “nuk është e negociueshme”.

Presidenti, megjithatë, është nën presion në rritje nga grupet e biznesit për t’i diskutuar propozimet e republikanëve.

Falimentimi, i cili do të ishte i pari në historinë e SHBA-së, do të mund t’i përmbyste tregjet financiare globale dhe ta shkatërronte besimin te SHBA-ja si një partnere globale biznesi.

Ekspertët kanë paralajmëruar, po ashtu, se falimentimi mund ta çojë SHBA-në në recesion dhe të shkaktojë rritje të papunësisë.

Kjo, gjithashtu, do të bënte që SHBA-ja të mos mund të marrë para hua për të paguar pagat e punonjësve të Qeverisë dhe personelit ushtarak, kontrollet e sigurimeve sociale ose detyrime të tjera.

LEXO EDHE:

Back to top button