SHBA, kongresmeni i sapozgjedhur humb jetën nga Covid-19

Një kongresmen i sapozgjedhur në SHBA i cili duhej të jepte betimin javën e ardhshme ka ndërruar jetë të martën nga COVID-19.

Sipas raporteve lokale, republikani Luke Letlow, 41-vjeç, i cili fitoi pozitën e tij më 3 nëntor në shtetin e Luizianës, për herë të parë u pranua në Qendrën Mjekësore St. Francis në Monroe, Luiziana më 19 dhjetor për shkak të ndërlikimeve nga koronavirusi.

Sipas një deklarate në llogarinë e tij në Twitter, teksa gjendja e tij përkeqësohej, ai u transferua në Qendrën Mjekësore Akademike, Ochsner LSU Health Shreveport, në të njëjtin shtet më 23 dhjetor.

Letlow la pas gruan e tij, Julia Barnhill Letlow dhe dy fëmijët e vegjël, Jeremiah 3-vjeç dhe Jacqueline vetëm 11-muajshe.

“Familja vlerëson lutjet dhe mbështetjen e shumtë gjatë ditëve të fundit, por kërkon privatësi gjatë kësaj kohe të vështirë dhe të papritur”, tha zëdhënësi i tij Andrew Bautsch në një deklaratë për Monroe News-Star.

“Njoftimi nga familja së bashku me rregullimet e varrimit do të shpaloset më vonë”, shtoi ai.

Guvernatori i Luizianës, John Bel Edwards, një demokrat, i shprehu ngushëllime familjes së Letlow në Twitter dhe urdhëroi që flamujt në shtetin jugor të valëviten në gjysmë shtizë në ditën e varrimit të tij.

“Luiziana që nga marsi ka humbur më shumë se 7.300 persona nga COVID-19 dhe secili prej tyre ka lënë një vrimë të jashtëzakonshme në shtetin tonë”, tha ai në një shkrim tjetër në Twitter.

LEXO EDHE:

Back to top button