SHBA: Mbi 20.000 luftëtarë rusë të vrarë në Bahmut

SHBA: Mbi 20.000 luftëtarë rusë të vrarë në Bahmut

Shtëpia e Bardhë beson se më shumë se 20.000 luftëtarë rusë janë vrarë në betejën për qytetin ukrainas të Bahmutit, në pesë muajt e fundit.

Rreth 80.000 të tjerë janë plagosur, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, duke u thirrur në informacione të deklasifikuara të inteligjencës.

Gjysma e të vrarëve janë nga grupi privat mercenar, Wagner, tha ai.

Nëse është i saktë, numri i viktimave ruse tejkalon popullsinë e qytetit të Bahmutit përpara luftës, që përbëhej prej rreth 70.000 banorësh.

Moska po përpiqet ta marrë kontrollin e Bahmutit që nga viti i kaluar.

Beteja për qytetin e vogël – ku kanë mbetur vetëm disa mijëra civilë – ka marrë një rëndësi të madhe simbolike për të dyja palët.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë, po ashtu, se janë duke e shfrytëzuar betejën për të vrarë sa më shumë trupa ruse dhe për t’i zvogëluar rezervat e tyre.

Megjithatë, Ukraina kontrollon tani vetëm një pjesë të vogël të këtij qyteti.

“Përpjekja e Rusisë për një ofensivë në Donbas, kryesisht përmes Bahmutit, ka dështuar. Rusia nuk ka arritur të kapë ndonjë territor me rëndësi të vërtetë strategjike”, u tha Kirby gazetarëve.
“Ne vlerësojmë se Rusia ka pësuar më shumë se 100.000 viktima, duke përfshirë mbi 20.000 të vrarë”, theksoi ai.

REL-i nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto shifra, ndërsa Moska nuk ka komentuar.

LEXO EDHE:

Back to top button