SHBA, paqartësi për fituesin e zgjedhjeve

SHBA, paqartësi për fituesin e zgjedhjeve

Pas zgjedhjeve të së martës në Shtetet e Bashkuara ende nuk dihet se kush do ta ketë kontrollin e Kongresit amerikan, duke lënë të paqartë nëse republikanët do të marrin kontrollin nga demokratët e presidentit Joe Biden. Kongresi amerikan përbëhet nga dy institucione: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati amerikan. Deri më tani në Dhomën e Përfaqësuesve më së shumti ulëse kanë fituar republikanët. Por, gara për Senatin amerikan është më e ashpër, pasi ajo mbetet ende e hapur në disa shtete kyçe. Në qendrat e votimit në mbarë vendin nuk u raportuan probleme të gjera me fletët e votimit. Megjithatë, nëse dy partitë, ajo demokrate dhe republikane do të kenë numrin e njëjtë të ulëseve në Senat, atëherë demokratët do të marrin shumicën, për shkak të ulëses së nënpresidentes amerikane, Kamala Harris. Mbi 46 milionë amerikanë kanë votuar para ditës së zgjedhjeve, qoftë përmes postës, apo votimit në qendra të votimit. Por, zyrtarët shtetërorë zgjedhorë kanë paralajmëruar se numërimi i këtyre votave do të marrë kohë. Inflacioni i lartë dhe të drejtat e abortit ishin ndër shqetësimet kryesore të votuesve, dhe sipas sondazheve, një në tre votues ka zgjedhur njërën prej këtyre dy temave si shqetësime kryesore. Krimi, që ka qenë në fokusin e republikanëve gjatë javëve të fundit të fushatës, po ashtu ka qenë një prej çështjeve kryesore të përmendura nga një në dhjetë votues. Në SHBA, inflacioni vjetor është 8.2 për qind, që është niveli më i lartë i shënuar në 40 vjet. Këto shifra kanë paraqitur pengesë për demokratët gjatë fushatës së tyre. Në Kongres, nëse republikanët kontrollojnë Dhomën, kjo do të paraqiste kërcënim për prioritetet e demokratëve sikurse të drejtat e abortit dhe ndryshimet klimatike, ndërkaq në Senat, republikanët do të mund të bllokonin nominimet e Bidenit në sistemin e drejtësisë, përfshirë edhe çdo emërim të ri në Gjykatën Supreme. Ndërkaq, sa i përket ndihmës për Ukrainën që po përballet me pushtimin rus, analistët kanë argumentuar se nëse republikanët marrin pushtetin në Kongres, ka pak gjasa që të ngadalësojnë furnizimet me armë dhe ndihmën ekonomike për Kievin./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button