SHBA, personat me imunitet të dobët do të marrin dozën e tretë të vaksinës

Ekspertët e shëndetit në SHBA thonë se personat me imunitet të dobët mund të marrin një dozë më tepër të vaksinave Pfizer ose Moderna, për t’u mbrojtur më mirë nga COVID-19.
Agjencia e Ushqimit dhe Barnave tha se kjo metodë do të zbatohet për disa milionë amerikanë që janë më të djeshëm ndaj virusit për shkak të transplanteve të organeve dhe sëmundjeve të rënda. Disa vende të tjera, përfshirë Francën dhe Izraelin, kanë bërë rekomandime të ngjashme.
Për një sistem imunitar i cili është mësuar me ilaçe për të luftuar sëmundje të tjera, studimet sugjerojnë që një dozë shtesë e vaksinës anti-COVID mund të jetë një zgjidhje.
“Kjo i lejon mjekët të rrisin imunitetin e individëve të caktuar me imunitet të dobët, të cilët kanë nevojë për mbrojtje shtesë nga COVID-19,” tha në një deklaratë Dr. Janet Woodcock, komisioneri në detyrë i Agjencisë së Ushqimit dhe Barnave në SHBA.
Agjencia e Ushqimit dhe Barnave përcaktoi se ata që kryejnë transplant dhe të tjerët me imunitet njësoj të dobët, mund të marrin një dozë të tretë të vaksinave nga Pfizer dhe Moderna, të paktën 28 ditë pas marrjes së dozës së dytë.
Vendimi vjen pas përhapjes së variantit Delta të COVID-19 në SHBA, variant i cili ka shtuar infektimet, shtrimet në spital dhe vdekjet.
Grupi me rrezik të lartë në SHBA, vlerësohet të jetë jo më shumë se 3% e të rriturve. Popullata e përgjithshme nuk mund të marrë një dozë shtesë.