SHBA pritet t’i rishikojë të gjitha marrëveshjet me Muskun

SHBA pritet t’i rishikojë të gjitha marrëveshjet me Muskun

Shtëpia e Bardhë po konsideron rishikimin e të gjitha kontratave me biznesmenin amerikan, Elon Musk pas deklaratave të tij për Ukrainën.

Lajmi bëhet i ditur nga Bloomberg, duke cituar burime të paidentifikuara.

“Zyrtarët e administratës Biden po shqyrtojnë nëse SHBA-ja duhet të kryejë një rishikim sigurie të disa marrëveshjeve të Elon Muskut, duke përfshirë edhe blerjen e Twitterit dhe sistemit satelitor SpaceX Starlink”, njoftoi agjencia e lajmeve.

Zyrtarët thuhet se nuk ndihen “mirë” me deklaratat e fundit të miliarderit për financimin e Starlink në Ukrainë dhe “qëndrimin gjithnjë e më të favorshëm në dobi të Rusisë”. Zyrtarët gjithashtu janë të shqetësuar për planet e tij për të blerë Twitterin me një grup investitorësh të huaj.

Sipas burimeve, bisedimet për rishikimin e kontratave janë në një fazë të hershme.

Musk tha javën e kaluar se SpaceX nuk mund të financonte më mirëmbajtjen e sistemit të komunikimit satelitor Starlink në Ukrainë. Më pas ka ndërruar mendje dhe deklaroi se do të vazhdojë të ofrojë këto shërbime.

Ndërkohë, mediat amerikane raportuan se Bashkimi Evropian dhe Pentagoni po shqyrtojnë mundësinë e ndarjes së fondeve për të siguruar funksionimin e sistemit të komunikimit satelitor në Ukrainë në rast të një nevoje të tillë.

LEXO EDHE:

Back to top button