SHBA, thirrje Izraelit dhe palestinezëve për të çtensionuar gjendjen

Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje udhëheqësve izraelitë dhe palestinezë të ulin tensionet mes sulmeve vdekjeprurëse të Hamasit me raketa dhe inkursioneve ajrore izraelite si kundërpërgjigje ndaj tyre. Sulmet nga të dyja anët vijnë pas përplasjeve të fundit në Jeruzalem.

Militantët e Hamasit thanë se lëshuan 130 raketa drejt Tel Aviv të martën mbrëma, si hakmarrje ndaj një sulmi ajror izraelit që shkatërroi një ndërtesë 12-katëshe në qytetin e Gazës, në territoret palestineze.

Sulmet me raketa gjatë natës shihen si një përshkallëzim i madh i një situate tashmë të paqëndrueshme.

Të paktën 28 palestinezë, përfshirë nëntë fëmijë, janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Gazë që nga e hëna, dhe të paktën 122 janë plagosur. Zyrtarët e spitaleve thonë se të paktën tre izraelitë janë vrarë dhe të paktën 56 janë trajtuar si rezultat i goditjeve të Hamasit me raketa.

Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje urgjente të dyja palëve që të mos e shkallëzojnë konfliktin.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për përshkallëzimin midis Izraelit dhe atyre që lëshojnë raketa nga Gaza. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje dhe qetësi. Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe t’u përgjigjet sulmeve me raketa, populli palestinez gjithashtu ka të drejtën e sigurisë, ashtu si izraelitët. Ne gjithashtu jemi thellësisht të shqetësuar për humbjen e jetëve në Gaza dhe Izrael, duke përfshirë vdekjet e fëmijëve, si dhe plagosjen e shumë civilëve të pafajshëm,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

I pyetur për kritikat se SHBA nuk kanë arritur të demonstrojnë rol udhëheqës, ndërsa sulmet përshkallëzohen, zëdhënësi tha:

“Do t’i përgjigjesha asaj kritike duke theksuar se Shtetet e Bashkuara po bëjnë atë që munden. Mundësitë tona në situata të caktuara janë të kufizuara, në disa raste”.

Ndërkohë që në media shfaqen imazhet e njerëzve që vrapojnë për t’u shpëtuar sulmeve, ekspertët thonë se roli udhëheqës dhe diplomacia kanë rëndësi jetike.

“Kjo është një situatë shumë e rëndë. Ajo tregon se në rajon mungon një rol udhëheqës që po shfrytëzohet nga ekstremistët. Sa herë që dikush përdor dhunë dhe lëshon raketa kur t’i teket, siç po e shohim tani me raketa që mund të godasin këdo, izraelitë ose palestinezë, kjo tregon se gjërat kanë dalë mjaft jashtë kontrollit. Mendoj se ky është një rast që Shtetet e Bashkuara të përdorin diplomacinë për të ulur tensionet,” thotë Brian Katulis i Qendrës për Progresin Amerikan.

Një tjetër eksperte i tha Zërit të Amerikës se SHBA duhet të angazhohen më fort me aleatin e tyre, Izraelin.

“Shtetet e Bashkuara janë ndoshta në pozicionin më të mirë për të angazhuar Izraelin në këtë çështje. Sigurisht që ne, SHBA nuk kemi një angazhim, një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Hamasin. Pra, edhe aktorët e tjerë atje mund të luajnë rol,” thotë Lucy Kurtzer-Ellenbogen e Institutit Amerikan të Paqes.

Të martën mbrëma ushtria izraelite publikoi video ku tregohej sistemi i saj i mbrojtjes Iron Dome që i përgjigjej raketave të Hamasit mbi Tel Aviv. Por ekspertët thanë se edhe vendet e rajonit, si Egjipti dhe Jordania, duhet të përdorin ndikimin e tyre mbi Hamasin për të çtensionuar gjendjen.

LEXO EDHE:

Back to top button