Shefi i diplomacisë franceze viziton Libanin
Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barro do të mbërrijë në Liban sonte, tha Ministria e Jashtme franceze, ndërsa sulmet izraelite vazhdojnë në vend, veçanërisht në periferitë jugore të Bejrutit.
Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barro do të mbërrijë në Liban sonte, tha Ministria e Jashtme franceze, ndërsa sulmet izraelite vazhdojnë në vend, veçanërisht në periferitë jugore të Bejrutit.
Ministri Barro do të bisedojë me autoritetet lokale dhe do të ofrojë mbështetje franceze, veçanërisht humanitare, tha ministria. Sipas programit zyrtar, gjatë mbrëmjes ai duhet t’i japë ndihmë mjekësore urgjente ministrit të Shëndetësisë së Libanit, përpara se të zhvillojë një takim pune për situatën me qytetarët francezë.
Dita e nesërme do t’i kushtohet bisedimeve me kryeministrin Najib Mikati, gjeneralin Joseph Aoun, komandant i ushtrisë dhe Nabih Berri, kryetar i Kuvendit. Ministri do të takohet gjithashtu me koordinatorin special të OKB-së për Libanin dhe forcat e OKB-së në atë vend (UNIFIL).
Franca kërkoi dje fundin e menjëhershëm të sulmeve izraelite në Liban dhe tha se ishte kundër çdo operacioni tokësor në atë vend. Më herët, kryeministri francez Michel Barnier e përshkroi situatën në Liban si “jashtëzakonisht serioze” dhe tha se ishte i shqetësuar për sigurinë e francezëve në atë vend.
Ministria e Punëve të Jashtme të Francës ende nuk u ka bërë thirrje qytetarëve francezë që të largohen nga vendi.