Shënohet 7 Maji – Dita e Policisë së Maqedonisë
Shënohet 7 Maji – Dita e Policisë së Maqedonisë

Gazetar: Mihajllo Donev
Roli i punonjësve të policisë në ruajtjen e sigurisë publike dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit ishte në fokus të shënimit të 7 Majit Ditës së Policisë.
Numri një i policisë, Pançe Toshkovski, tha se korrupsioni është thellësisht i rrënjosur në shoqërinë maqedonase dhe se policia duhet të vazhdojë me rolin e saj në çrrënjosjen e tij.
Toshkovski kujtoi edhe disa nga hetimet më të rëndësishme që janë zhvilluar gjatë periudhës së kaluar.
“Rasti “Aditivët”, në të cilin janë përfshirë 23 persona, është simbol i faktit se nuk ka të paprekshëm kur bëhet fjalë për keqpërdorim të parave dhe resurseve shtetërore. Në një aksion të koordinuar në dhjetorin e kaluar është shkatërruar një nga strukturat më të rrezikshme kriminale, anëtarët e së cilës kanë marrë pjesë në më shumë se tetë vrasje dhe kërcënime serioze ndaj punonjësve të policisë”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Në Ditën e Policisë, kryeministri Hristijan Mickoski dërgoi mesazh se në këtë shtet nuk ka më vend për lidhje, nepotizëm dhe mbrojtje nga përgjegjësia.
“Ka pasur kohë kur institucionet përdoreshin për interesa personale dhe politike, e jo për drejtësi. Mesazhet “do t’i rregullojmë gjërat” dhe “do të thërras dikë” ishin më të forta se ligji, por ajo kohë ka përfunduar. Dua sot ta them publikisht dhe me zë të lartë. Në këtë shtet nuk ka më vend për lidhje, nepotizëm dhe mbrojtje nga përgjegjësia. Ligji vlen për të gjithë, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për qytetar të thjeshtë, funksionar apo biznesmen”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Më 7 maj tradicionalisht çdo vit shënohet Dita e Policisë së Maqedonisë, e cila i kushtohet njohjes së punës dhe përkushtimit të policëve. Këtë vit, kremtimi u mbajt në Qendrën e Trajnimit të MPB-së në Idrizovë./ Alsat.mk