Shënon rritje numri i personave të prekur nga gripi sezonal
Shënon rritje numri i personave të prekur nga gripi sezonal

Gazetare: Ajnur Bafqari
Ka shënuar rritje numri i pacientëve me gripin sezonal që vizitojnë ambulancat e vendit. Mjekët amë presin që ky numër të rritet edhe më shumë pasi kishim një vikend të zgjatur që rrit fluksin e pacientëve, për shkak të lëvizjeve të qytetarëve jashtë vendit.
“Për gripin sezonal për këtë periudhë i kemi pacientët me numër shumë të shtuar, sidomos pjesa e fëmijëve dhe të moshuarve për arsye se imuniteti tek ata është më i dobët dhe u duhet shumë pak faktor të jashtëm që mund ta zbresin edhe më tepër dhe mund të paraqitet pasqyra klinike me shkuarjen e hundëve, me bllokim të hundës, me teshtitje të vazhdueshme, kollitje të thatë të lehtë, skuqje të lehtë të fytit dhe temperaturë të lehtë deri në 38 gradë Celsius”, tha Shpejtim Rexhepi, mjek Amë.
Rexhepi thotë se në mesin tonë është prezent edhe virusi kovid 19, por është shumë i vogël numri i personave që testohen. Ai numëron disa nga simptomat që e dallojnë kovid 19-tën nga gripi sezonal.
“Nga ana tjetër në krahasim me gripin sezonal, kovid 19-ta është shumë e ngjashme, përveç asaj që e shohim nëse simptomet e pacientit janë më të rënda duke shtuar këtu dhimbjen e muskulaturës së trupit, duke e shtuar edhe zvogëlimin e menjëhershëm të oreksit, duke e shtuar një plogështi në trup, dhimbje e kokës disa ditë me rend dhe simptome e lartpërmendura me një temperaturë pak më të lartë se gripi sezonal, atëherë dyshojmë se është kovid 19 dhe patjetër i dërgojmë pacientët për testim për kovid 19”, nënvizoi Shpejtim Rexhepi, mjek Amë.
Në krahasim me periudhën e njejtë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik numri i të prekurve me grip është rritur për 85 për qind. /Alsat.mk