Shiten të gjitha biletat për ndeshjen Kosovë-Irlandë e Veriut

Kombëtarja e Kosovës, të enjten do ta zhvillojë ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve ku në stadiumin “Fadil Vokrri” e pret Irlandën e Veriut. Interesimi për ta parë këtë ndeshje nga stadiumi është shumë i madh dhe tashmë janë shitur të gjitha biletat që ishin ne dispozicion. Kështu të paktën ka konfirmuar Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi përmes një postimi në “Facebook”.

“Shfrytëzoj rastin që të ju falënderoj të gjithëve për interesimin e jashtëzakonshëm për t’i qëndruar përkrahë Kombëtares së Kosovës. Përkundër se në ndeshjen e kaluar u dëshpëruam me humbjen nga Greqia, ju dëshmuat se dini të vlerësoni djersën e djemve tanë, dëshirën dhe përkushtimin e tyre për të dhënë më të mirën në fanellën e shenjtë të Kosovës”, ka shkruar fillimisht Ademi.

“Të gjitha biletat e kësaj ndeshje tashmë janë shitur, me përjashtim të një sasie të vogël për zonën VIP, e të cilat të interesuarit ende mund t’i sigurojnë përmes platformës online. Në këtë formë ju e vërtetuat se Kombëtarja e Kosovës është dashuri e përjetshme dhe vlerë shtetërore, të cilën duhet ta ruajmë e respektojmë në fitore, barazime e humbje. Ne jemi të vetëdijshëm se kapaciteti aktual i stadiumit ‘Fadil Vokrri’ nuk i përmbush kërkesat për numrin e madh të të interesuarve, prandaj ndjejmë keqardhje që shumë qytetarë janë të shtrënguar që ndeshjen ta ndjekin nëpërmjet ekraneve televizive”, ka shtuar ai.

Ndeshja Kosovë-Irlandë e Veriut zhvillohet të enjten nga ora 20:45.

LEXO EDHE:

Back to top button