Shkallë e lartë e vdekshmërisë në Evropë, Maqedonia në vendin e 42-të

Shkallë e lartë e vdekshmërisë në Evropë, Maqedonia në vendin e 42-të

Maqedonia e Veriut është në vendin e 42 për nga shkalla e vdekshmërisë, sipas listës së CIA-s, në të cilën janë radhitur 229 shtete.

Maqedonia e Veriut ka koeficient prej 9.61 raste të vdekjeve në 1000 banorë, në nivel vjetor. Koeficienti, sipas metodologjisë së analizës, llogaritet si mesatare e numrit vjetor të rasteve të vdekjeve në 1000 banorë në mes të vitit.

Sipas listës së CIA-s, Serbia është në vendin e parë në botë për nga vdekshmëria me koeficient prej 16.39.

Në dhjetë vendet e para, përveç Serbisë, janë edhe Rumania, Lituania, Letonia, Bullgaria, Ukraina, Rusia, Estonia, Bjellorusia dhe Kroacia.

Të gjitha këto vende janë nga Evropa, ndaj i njëjti grup zë dhjetë vendet e para në listën e vendeve evropiane me vdekshmërinë më të lartë.

Nga vendet nga territoret e ish-Jugosllavisë, Kroacia është në vendin e 10-të, Sllovenia është e 28-ta, Mali i Zi i 30-ti dhe Bosnja dhe Hercegovina është e 32-ta.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, vitin e kaluar kanë vdekur 28.516 persona. Shkaku më i zakonshëm i vdekjes ishin sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut (35,9 %), komplikimet nga COVID-19 (20,6 %), neoplazmat (13,8 %), sëmundjet endokrine, ushqimore dhe metabolike (5,8 %) dhe sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes ( 4.2 %).

LEXO EDHE:

Back to top button