Shkarkimi i drejtorit të “26 Korriku-t”, kërcënohen mësimdhënësit
Shkarkimi i drejtorit të “26 Korriku-t”, kërcënohen mësimdhënësit

Gazetare: Evi Shkopi
Mësimdhënësit e shkollës fillore “26 Korriku”, në Shutkë vazhduan edhe sot bojkotin e tyre si shenjë revolte ndaj veprimit të komunës për shkarkimin e drejtorit Driton Ganiu. Stafi i hedhur në grevë tha janë kërcënuar, por kishin frikë të tregojnë publikisht kush kë ka kërcënuar dhe në çfarë mënyre.
“Kemi edhe kërcënime dhe presione, se në rast se nuk ndërpresim bojkotin do të pasojnë dënime dhe se do të na jepen vendime për shkarkim. Personalisht i kanë marrë në telefon pasditen e djeshme disa nga kolegët tanë. I drejtohemi ministrit dhe kryetari të Komunës së Shuto Orizares me lutje që të gjejnë zgjidhje të përbashkët të këtij problem, përkatësisht të anulojnë vendimin për shkarkimin e drejtorit Driton Ganiu”, deklaroi Zllatko Krstevski- sh.f “26 Korriku”.
Të punësuarit e hedhur në bojkot, shumica prej të cilëve janë me dekada në këtë shkollë, dyshojnë se e gjitha kjo situatë ka prapavijë politike.
“Qëndrojmë në bojkot deri në përmbushjen e kërkesës tonë. Nëse vazhdojnë me kërcënime dhe presione, atëherë do t’u drejtohemi organeve kompetente. Ne e bëjmë këtë bojkot, sepse mendojmë se është situatë e inskenuar politike”, tha Semiha Raka-sh.f “ 26 Korriku”.
Prapavijën politike e përmend edhe ushtruesja e detyrës e sapo emëruar, Besare Sejdi, duke shtuar se ndikimi politik është bërë ndaj personave që janë ngritur në grevë. Ajo thotë se nuk bën presion ndaj bojkotuesve dhe as nuk planifikon të hakmerret në të ardhmen.
“Kjo është, nuk e di ndoshta çështje partiake, ndoshta janë revoltuar për diçka tjetër. Nuk e di, me mua nuk kanë asgjë kundër. Ata janë kundër vendimit që është ndryshuar drejtori. E duan drejtorin e vjetër, zakonisht janë të gjithë ata që e përkrahin në mënyrë partiake. Nuk besoj se do të vazhdojë. Nëse jam unë këtu, do të thotë se janë respektuar disa rregulla”, theksoi Besare Sejdi- Ushtruese detyre drejtoresh e sh.f “26 Korriku”.
Lidhur me këtë situatë sot komentoi edhe ministri i Arsimit Jeton Shaqiri. Sipas tij, ministria do të veprojë në rast se konstatohen parregullsi në shkarkimin e drejtorit dhe emërimin e ushtrueses së detyrës.
“E dini që kjo shkollë ka qenë në një procedurë dhe komente në periudhën e mëparshme. Kam marr ingerencat e Komunës së Shuto Orizares në çështjen e emërimit të drejtorit për shkeljet që i ka pasur në procedurën paraprake. Çështja e ingerencave është me periudhë kohore, pas marrjes së ingerencave dhe kalimit, ingerencat kthehen në komunën përkatëse. Nëse është bërë një emërim tjetër, përsëri pas kthimit të ingerencave dhe vërtetohet nga ana e Inspektoratit, do të veproj edhe tek ky rast si në çdo rast tjetër”, deklaroi Jeton Shaqiri- ministër i Arsimit.
Emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të shkollës në Komunën e Shuto Orizares është nën kompetenca të kryetari të kësaj komunës. Kohë më parë në një situatë të ngjashme ministria e Arsimit konstatoi parregullsi dhe vendosi që të marrë këto kompetenca nga kryetari i komunës, të cilat siç edhe ministri i Arsimit, tashmë i janë rikthyer përsëri kryetari Kurto Dudush. Tashmë dy ditë përpiqemi të kontaktojmë me kryetarin e Komunës së Shuto OrIzares, por pa sukses. /Alsat.mk