Shkarkohet Fadil Zendeli, hapet rruga për zhbllokim të trupave parlamentare

Gazetare: Fatlume Dervishi

Shumica parlamentare krijoi kushte për të rikthyer pushtetin në Komisionin për zgjedhje dhe emërime. Deputeti Fadil Zendeli i cili në këtë komision ishte emëruar anëtar nga radhët e shumicës që në kohën kur Besa ishte pjesë e pushtetit, nuk do të jetë më pjesë e këtij komisioni. Nuk dihet akoma se cili deputet i shumicës do ta zërë vendin e tij, shkruan Alsat.

Por, shkarkimi i Zendelit, sipas pushtetit, i hap rrugën zhbllokimit të trupave parlamentare, dhe punës së ligjvënësit. Një ndër procedurat që konsiderohet më urgjente, është emërimi i katër gjykatësve të rinj në Gjykatën kushtetuese. opozita paralajmëron emërime partiake.

“Qëllimi përfundimtar i këtij vendimi sot, dhe këtë do ta shohim shumë shpejt edhe pse ju këtu mund ta kundërshtoni dhe të thoni çfarë të doni, është që të zgjidhen anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Edhe pse nuk duhet të jenë partiak, duhet të jenë profesionistë, opinioni shumë shpejt do të bindet se zgjidhjet kadrovike që ju do t’i ofroni do të jenë e kundërta e asaj që kërkohet; do të jenë të dëgjueshëm, do të ruajnë materiale në sirtar kur kjo t’ju përshtatet juve, dhe ky është qëllimi kryesor”, tha Silvana Angelevska, VMRO-DPMNE.

“Perceptimi në shtet është se LSDM-ja me mund gjatë gjithë kohës përpiqet t’i zhbllokojë proceset dhe të sjell dispozita cilësore, të drejta dhe në interes të qytetarëve kurse VMRO-DPMNE-ja për interesa të saja personale, për shkak të dëshirës për të pasur zgjedhje të parakohshme parlamentare në vazhdimësi e bllokon ligjvënësin”, u shpreh Martin Kostovski, LSDM.

Deputeti Pavlle Trajanov kërkon që institucionet të pranojnë nevojën e një ligji të ri për Gjykatën Kushtetuese dhe një procedurë të re për zgjedhjen e gjykatësve kushtetues. Sipas tij, zgjedhjet partiake i hapin rrugë partizimit të këtij institucioni.
“Nëse nuk ka konkurs, nuk ka shpallje, kemi partizim të tërësishëm të Gjykatës Kushtetuese. Partitë në pushtet për 30 vjet caktojnë se kush do të jetë gjykatës në Gjykatën Kushtetuese, prandaj Gjykata Kushtetuese punon nën diktatin dhe presionin e partive politike”, deklaroi Pavle Trajanov, Lidhja Demorkatike.

Shumë komisione në Kuvend nuk kanë funksionuar prej kohësh. Disa kanë mbetur pa anëtarë dhe disa pa kryetar. Komisioni për zgjedhje dhe emërime duhet të gjejë zëvendësim në mesin e deputetëve për vendet vakante nëpër trupat punues të ligjvënësit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button