Shkarkohet nga detyra Naim Ramuka-kryeshef i Qendrës Rajonale për punë kufitare në veri
Shkarkohet nga detyra Naim Ramuka-kryeshef i Qendrës Rajonale për punë kufitare në veri

Gazetar: Adrian Kerimi
Drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev ka shkarkuar nda detyra kryeshefin e Qendrës Rajonale për punë kufitare në veri Naim Ramuka. Arsyet në vendimin e shkarkimit nuk janë cekur.
“NDËRPRITET urdhri i ministrit të Brendshëm (me numër 23.6-8430/1) nga data 14.08.2024 me të cilin Naim Ramuka ishte ngarkuar me detyrën kryeshef i Qendrës Rajonale për punë kufitare në veri në kuadër të Byrosë së Sigurisë Publike pranë MPB-së”, thuhet në Vendimi me numër 236-99060 i datës 13.09.2024, Shkup.
Nga Ministria e Brendshme sot nuk u përgjigjen se deri ku është procedura disiplinore ndaj Ramukës si i përfshirë nën masat disiplinore të kontrollit të brendshëm për lëshimet që janë bërë në pikën kufitare të Bllacës kur me veturë zyrtare ka kaluar kreu i Kuvendit, Afim Gashi ndërsa kontrolle dhe evidence nuk janë kryer ndaj tij dhe gjashtë vetura të tjera civile. Cilat janë masat që janë ndërmarrë ndaj Ramukës dhe a është mbajtur mbledhja e komisionit disiplinorë para të cilit duhet të paraqitet Ramuka. Asnjë nga këto përgjigje sot nuk arritën në adresën tonë. Ndërkohë koalicioni VLEN, pozitë e cila sipas marrëveshjes politike i ka takuar këtij kampi thonë se në këtë pozitë do të emërohet përsëri kuadër shqiptar, duke shtuar se aktualisht ka procedura në kontrollin e Brendshëm, por pa dhënë shpjegim se si Ramuka u shkarkua pa përfunduar procedura disiplinore.
“Aktualisht janë në fuqi protokollet e brendshme në MPB, me të cilat evitohet ndonjë ndikim eventual në rastin kur vepron sektori për kontroll të brendshëm. Kjo pozitë në MPB do të ushtrohet nga një shqiptar, i cili do të propozohet nga zëvendësministri i MPB-së, që vjen nga radhët e koalicionit VLEN”, thanë nga VLEN.
Por ministri i Brendshëm dhe drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike duket se nuk ka pritur propozimin e koalicionit VLEN dhe në vend të Ramukës, sot me urdhëresë është emëruar Maja Temelkova Sotirova. Kjo dëshmohet përmes telegramit të datës 17 shtator dërguar deri te të gjithë kryeshefat e pikave kufitare dhe udhëheqësve të departamenteve në Bllacë dhe Tabanoc.
Naim Ramuka erdhi në pozitën e kryeshefit të Qendrës Rajonale për punë kufitare në veri në muajin gusht. Paraprakisht në këtë pozitë si kryeshef nuk kishte qenë asnjë shqiptar. Emri i tij u lakua nga partitë politike si përgjegjës për arratisjen e ish ushtarit të UÇK-së nga Kosova, Blerim Ramadani, por evidencat administrative kanë vërtetuar se Ramuka atë ditë nuk ka qenë në punë, ndërsa për delegacionin e kryeparlamentarit, Afrim Gashi ka njoftuar shefat e ndërrimit me plan konkret operativ, duke u paraqitur në punë edhe ditën e shtune./Alsat.mk