Shkatërrohet karteli i drogës, 49 të arrestuar nga Europol në Evropë dhe Emirate

Shkatërrohet karteli i drogës, 49 të arrestuar nga Europol në Evropë dhe Emirate

Europol ka njoftuar të hënën se ka asgjësuar një super kartel droge përmes një operacioni gjatë të cilit disa dhjetëra persona u arrestuan në Evropë dhe Emirate.

Operacioni pan-evropian përfshiu gjithashtu agjenci ligjzbatuese nga Dubai dhe kishte në fokus shkatërrimin e zinxhirit të komandës dhe logjistikës së infrastrukturës së trafikantëve, që vepronte në Francë, Spanjë, Holandë dhe Belgjikë.

Në 4 vendet në fjalë u kryen 43 arrestime, ndërsa 6 persona të tjerë ranë në pranga në Dubai. Europol i konsideron të arrestuarit si “persona të rëndësishëm” të narkotrafikut.

Në faza të ndryshme të operacionit, i koduar me emrin “Drita e Shkretëtirës”, raportohet se janë sekuestruar mbi 30 tonë kokainë.

Autoritetet policore nuk bëjnë të ditur kombësinë e të arrestuarve, por saktësojnë se organizata përmbushte një të tretën e tregut të kokainës në Evropë.

Aksioni i forcave ligjzbatuese u kurorëzua pas një marrëveshjeje të arritur në shtator për intensifikimin e bashkëpunimit mes Europol dhe autoriteteve në Emiratet e Bashkuara Arabe./euronews.al/

LEXO EDHE:

Back to top button