Shkëlqen Iga Sviatek, arrin 28 fitore radhazi

Tenistja 20-vjeçare, Iga Sviatek nga Polonia, është fituese e turneut Masters të Romës. Në fushat me dhè të kryeqytetit Italian, Sviatek, në finale, mundi me 2-0 në sete (6-2, 6-2) tunizianen Ons Jabeur. Kjo e fundit, një javë më parë, fitoi turneun Masters në Madrid, duke u bërë tenistja e parë afrikane që fiton një event të tillë të madh.

Gjithsesi, në finalen e Romës nuk pati histori dhe ajo që dominoi në fushë ishte Sviatek, që mbrojti titullin e fituar një vit më parë. Jo vetëm kaq, por tenistja polake mbron bindshëm edhe kreun e renditjes botërore për femra, me më shumë se 2.000 pikë epërsi nga ndjekësja më e afërt (çekja Barbora Krejçikova).

Për Iga Sviatek ky është titulli i tetë në karrierën e saj, i pesti i këtij sezoni, ku ka bërë një paraqitje të shkëlqyer (ka triumfuar edhe në Doha, Indian Uells, Majami dhe Shtutgart).

Ajo nuk ka humbuar asnjë prej 28 ndeshjeve radhazi dhe konsiderohet favorite për turneun Masters të  Roland Garrosit, që nis pas një jave. Ndërsa Jabeur, pas finales së humbur, ngjitet në vendin e 6-të të renditjes së VTA-s.

LEXO EDHE:

Back to top button