Shkenca ka përgjigjen: Pse Labradorët dhe disa njerëz janë gjithmonë të uritur?

Qentë që janë vazhdimisht të uritur dhe të prirur ndaj obezitetit ndajnë karakteristika biologjike me disa njerëz që janë të ndjeshëm ndaj obezitetit, shkruan BBC .

Kjo u zbulua nga shkencëtarët britanikë, të cilët identifikuan një shkak gjenetik që shpjegon tendencën në rritje për të ngrënë tepër në shumë Labrador – dhe në disa njerëz.

Studiuesit kanë zbuluar se ndryshimet në një gjen të caktuar, i cili është pjesë e kodit biologjik që formëson funksionimin e trupit tonë, ndikojnë në sinjalet kimike në tru që na japin një ndjenjë të ngopjes.

Gjetjet, të publikuara në revistën Science , zbulojnë njohuri të rëndësishme në biologjinë e obezitetit.

“Duke studiuar qentë, ne kemi dalë me informacione të reja dhe interesante biologjike”, thotë studiuesja kryesore, Dr. Eleanor Raffan nga Universiteti i Kembrixhit.

Ajo thekson se ky zbulim tregon se “pronarët e qenve të dobët nuk janë moralisht superiorë – e njëjta gjë vlen edhe për njerëzit me një fizik të hollë”.

“Nëse keni një rrezik të lartë gjenetik për obezitet, ka të ngjarë të shtoni peshë nëse nuk bëni një përpjekje të madhe për ta parandaluar atë.” “Nga ana tjetër, ata me rrezik të ulët gjenetik nuk kanë aq nevojë për të kontrolluar veten,” shpjegon ajo.

Lidhja midis gjenetikës së njeriut dhe qenit u përcaktua përmes analizës së ADN-së të 250 Labradorëve. Ekipi hulumtues kërkoi për faktorë gjenetikë që janë më të zakonshëm te qentë me mbipeshë.

Ata identifikuan gjenin DENND1B si një faktor kyç, i cili shoqërohej me masë më të madhe trupore te Labradorët. Më vonë, kur ata analizuan të dhënat gjenetike të mijëra njerëzve, zbuluan se i njëjti gjen lidhej me peshën më të madhe trupore edhe te njerëzit.

Përpara këtij studimi, doktor Rafan thekson se “askush nuk kishte supozuar se ky gjen mund të lidhej me obezitetin”.

Gjeni ndikon në sinjalet e trurit që rregullojnë urinë.

“Ky ndryshim rrit rrezikun e obezitetit sepse ndryshon mënyrën se si trupi rregullon urinë dhe shpenzimin e energjisë”, shpjegon doktor Rafan.

Këto gjetje mund të kontribuojnë në zhvillimin e ilaçeve të reja kundër obezitetit. Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se njerëzit – si dhe pronarët e qenve – me këtë predispozitë gjenetike duhet të bëjnë shumë më tepër përpjekje për të zbutur efektet e saj.

Alice McLellan , një studiuese në Universitetin e Kembrixhit, shtoi se rezultatet theksojnë “rolin kyç të mekanizmave të trurit në kontrollin e oreksit dhe peshës trupore”.

Ky zbulim kontribuon në një kuptim më të gjerë të faktorëve biologjikë që ndikojnë mbi ngrënien.

Disa ilaçe moderne për humbje peshe, si Ozempic, ndikojnë në disa aspekte të kësaj biologjie dhe po fitojnë popullaritet në rritje.

“Ajo që ne kemi identifikuar këtu është një mekanizëm biologjik i ndryshëm nga ai mbi të cilin veprojnë këto barna,” shpjegon Dr. Rafan.

“Por e gjithë kjo tregon për të njëjtin realizim kyç – obeziteti nuk është rezultat i vullnetit të dobët”. Disa njerëz kanë një predispozitë gjenetike që rrit oreksin dhe ndjeshmërinë e tyre ndaj ushqimit, duke i bërë ata më të prirur për të shtuar peshë. “Kjo është e vërtetë si për njerëzit ashtu edhe për qentë – gjenetika mund t’i predispozojë ata të hanë tepër.”

LEXO EDHE:

Back to top button