Shkencëtarët e MIT kanë propozuar një mburojë hapësinore për të “ftohur” Tokën

Instituti i Teknologjisë në Massachusetts (MIT) ka propozuar një metodë radikale për të luftuar efektet e ndryshimeve klimatike.

Një ekip studiuesish propozon përdorimin e një flote “flluskash hapësinore” që do të reflektonin rrezet e diellit nga Toka. Sado e pabesueshme të jetë kjo ide, fakti është se nuk do të kishte nevojë për të nëse njerëzit do të kishin reduktuar në mënyrë drastike përdorimin e tyre të lëndëve djegëse fosile në të kaluarën.

Ndërsa disa shkencëtarë paralajmërojnë se gjeoinxhinieria është një shpërqendrim i rrezikshëm nga puna reale e nevojshme për të reduktuar emetimet, të tjerë thonë se ne duhet të vlerësojmë të gjitha opsionet, duke përfshirë flluskat hapësinore të ekipit MIT.

Është një formë e re e gjeoinxhinierisë diellore e krijuar për të reflektuar dritën e diellit larg Tokës për të ftohur planetin dhe për të parandaluar efektet më të këqija të ndryshimeve klimatike. Teknika më e studiuar përfshin injektimin e grimcave reflektuese të aerosolit në atmosferën e sipërme. Por ndikimi potencial negativ i një metode të tillë ende nuk është hulumtuar plotësisht, që do të thotë se teknika është larg të konsiderohet si një opsion i zbatueshëm.

Qasja e MIT do të ishte ndryshe, në vend që të injektonte grimca në atmosferën e Tokës në këtë rast nxehtësia e diellit do të reflektohej nga hapësira, që do të nënkuptonte shmangien e përdorimit të grimcave potencialisht të dëmshme në atmosferën tonë.

Shkencëtarët po studiojnë mundësinë e pozicionimit të një mburoje të bërë nga flluska hapësinore në një pikë orbitale relativisht të qëndrueshme në hapësirë, ku tërheqja gravitacionale e Tokës dhe Diellit është e barabartë. Teleskopi hapësinor James Webb është gjithashtu i pozicionuar në atë pikë.

Pengesa më e madhe për këtë metodë është logjistika. Ekipi i MIT beson se mburoja duhet të përshtatet me madhësinë e Brazilit, por shkencëtarët besojnë se flluskat mund të prodhohen në hapësirë, duke ulur kostot e nisjes.

Për momentin, eksperimentet laboratorike po kryhen në flluska të bëra nga silikoni. Shkencëtarët kanë arritur të bëjnë një flluskë nga një shtresë e hollë dhe ta mbajnë atë në një temperaturë prej minus 50 gradë.

Në rast se mburoja ka një ndikim negativ në planet, shkencëtarët mund ta heqin shpejt atë.

LEXO EDHE:

Back to top button