Shkencëtarët japonezë kanë zhvilluar plastikë që tretet në ujin e detit vetëm brenda pak orësh
Shkencëtarët japonezë kanë bërë një përparim në luftën kundër ndotjes së oqeaneve - ata kanë zhvilluar një lloj të ri të plastikës që dekompozohet plotësisht në ujin e detit vetëm në pak orë, duke mos lënë gjurmë në mjedis.

Hulumtimi është rezultat i një përpjekjeje të përbashkët nga një ekip nga qendra kërkimore RIKEN dhe Universiteti i Tokios . Materiali i ri, i cili zbërthehet shumë më shpejt se përpjekjet e mëparshme për plastikën e biodegradueshme, u testua në një laborator në qytetin Waku, jo shumë larg Tokios. Atje, shkencëtarët treguan se si një pjesë e vogël e kësaj plastike zhduket në ujë të kripur brenda rreth një ore.
Edhe pse ende nuk ka një plan konkret për komercializimin, udhëheqësi i projektit, Takuzo Aida , tha se interesi është i lartë – veçanërisht nga kompanitë e përfshira në paketimin e produkteve.
Shkencëtarët në mbarë botën kanë punuar për zgjidhje për problemin e ndotjes nga plastika për vite me radhë, dhe sipas Programit të Mjedisit të Kombeve të Bashkuara, kjo ndotje parashikohet të trefishohet deri në vitin 2040 – që do të thotë se 23 deri në 37 milionë ton plastikë shtesë do të përfundojnë në dete çdo vit .
“Fëmijët nuk kanë mundësi zgjedhjeje se në cilin planet jetojnë. Është detyra jonë si shkencëtarë të bëjmë gjithçka që mundemi për t’u lënë atyre mjedisin më të mirë të mundshëm”, thotë Aida.
Ky zbulim mund të bëhet një moment historik në përpjekjet globale për të mbrojtur detet dhe oqeanet nga mbeturinat plastike.