Shkupi dhe Praga kërkojnë konsensus për çështjen e integrimit

Gazetar: Miki Trajkovski

Ministri i Punëve të Jashtme Timço Mucunski thotë se Qeveria, që nga formimi i saj zhvillon dialog me vendet anëtare të BE-së, përfshirë edhe Bullgarinë, për gjetjen e një zgjidhjeje për problemin dypalësh me Sofjen. Mucunski nuk dha përgjigje të drejtpërdrejt në pyetjen e Alsat nëse aktualisht po zhvillohet diplomaci e fshehtë me Bullgarinë për gjetjen e një zgjidhjeje. Pas takimit në Ohër me homologun e tij çek, Petr Macinka, Mucunski tha se është e rëndësishme që shteti të mos vlerësohet mbi bazën e kritereve dypalëshe, por mbi bazën e standardeve evropiane, dhe se për çështjet që lidhen me historinë, gjuhën, identitetin dhe kulturën nuk janë të gatshëm të negociojnë.

„Takimet që kemi pasur janë bërë publike dhe qëndrimet tona, besoj, janë mjaft të qarta si Qeveri. Kështu që, nuk ka asnjë dilemë se duhet të gjendet një zgjidhje e përshtatshme, por nëse jemi të gatshëm të pranojmë një zgjidhje që nuk na siguron një rrugë të parashikueshme drejt anëtarësimit, jo vetëm për t’i hapur negociatat, por edhe për të pasur parashikueshmëri se për çfarë negociojmë dhe diskutojmë gjatë negociatave, kjo është ajo që për ne është thelbësore. Ne, si Qeveri dhe si njerëz, konsiderojmë se negociatat në thelb nuk duhet të prekin çështje që lidhen me gjuhën, identitetin, historinë dhe kulturën.“ – Timço Mucunski – ministër i Punëve të Jashtme.

Ministri çek tha se kontesti mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë tashmë nuk është vetëm çështje dypalëshe, por, bazuar në përfundimet e Këshillit Evropian të vitit 2022, është edhe çështje e të gjitha vendeve. Ai thotë se Çekia është e gatshme të bisedojë me autoritetet në Sofje. Sipas tij, aftësia për të arritur konsensus në BE është jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi për një sërë çështjesh Unioni nuk mund të përparojë pa konsensus.

„Është e domosdoshme të arrihet konsensus. Çekia është e gatshme të kontribuojë në këtë proces. Sigurisht që do të dëshirojmë të bisedojmë për këtë çështje. E di se kemi marrëdhënie të mira si me Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe me Bullgarinë. Kryeministri ynë, Andrej Babish, planifikon që gjatë rreth tri javëve të ardhshme ta vizitojë Sofjen, kështu që ndoshta edhe kjo do të jetë një nga temat për të cilat do të bisedohet. Unë patjetër do të dëshiroj të bisedoj me të për këtë çështje. Pra, ne do të dëshironim të kontribuojmë që këto mosmarrëveshje të qetësohen dhe të arrihet një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të dyja palët, sepse mendoj se kjo vërtet ia vlen.“ – Petr Macinka – ministër i Punëve të Jashtme i Çekisë.

Macinka tha se Bashkimi Evropian duhet të dijë ta vlerësojë shkallën e gatishmërisë së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim, punën e madhe që vendi ka arritur të bëjë, por edhe lëshimet që ka bërë në të kaluarën. Sipas tij, nga ana e BE-së ekziston një interes i madh për zgjerim dhe pikërisht për këtë arsye, në interes të Unionit duhet të jetë që pengesat të mënjanohen. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button