Shkupi dhe Sofja shënojnë Ditën e Shën Kirili dhe Metodit

Në vigjilje të kremtimit të përbashkët të Ditës së Shën. Kirilit e Metodit në Romë, aktivitete të ndara për festën që Shkupi e njeh si Ditë të alfabetit sllav ndërsa Sofja si Ditë të alfabetit bullgar.

Shën Kirili dhe Metodi na e dhanë alfabetin, trashëgiminë e kontinentit evropian, pasurinë e popujve sllavë. Më vjen mirë që sot jeton gjuha maqedonase me alfabetin e saj bashkë me gjithë gjuhët dhe alfabetet sllave si pjesë e trashëgimisë evropiane, me shpresë se gjuha jonë maqedonase do të bëhet gjuhë zyrtare e BE-së”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Në Ditën e Vëllezërve të Shenjtë Kirili dhe Metodi, të alfabetit bullgar, arsimit dhe kulturës dhe letërsisë sllave, ne festojmë arritjen më të madhe kulturore të popullit tonë, krijimin e shkrim-leximit tonë. Mbi 1100 vjet më parë Bullgaria ishte shteti që shpëtoi punën e mësuesve sllavë. Kirili Metodi, Klimenti i Ohrit dhe Naum Presllavski me pasuesit e tyre e kthyen Bullgarinë në një qendër shpirtërore dhe kulturore të botës sllave përgjatë Mesjetës”, pohoi Rumen Radev, president i Bullgarisë.

I pyetur rreth kontestit dypalësh që po e mban peng fillimin e negociatave mes vendit e BE-së, Radev tha se rruga e Shkupit për në BE kalon kah Sofja, ndërsa Sofja nuk do të lejojë që në Union të importohen probleme shtesë. Shtoi se ndaj Bullgarisë ka shumë vëmendje, por të mos thënë presion nga shtetet anëtare të unionit.

Ndërkohë, kryeministri Zaev pret nga presidentët Radev e Pendarovski që në takimin e së mërkurës në Romë të ndërmarrin hap për tejkalimin e dallimeve dypalëshe, ndonëse paraprakisht vetë Pendarovski kishte deklaruar se do të bisedojnë joformalisht, por se nuk janë kompetentë të negociojnë për kontestin. Gjithsesi, Zaev është optimist se vullneti dypalësh dhe propozimi i Portugalisë do t’i çojë vendet drejt zgjidhjes.

Duke e pasur parasysh qëndrimin e saj, Bullgaria e ka të gjithën të alokuar, qoftë në Marrëveshjen për Stabilizim Asociim ose Udhërrëfyesin për zbatim të Marrëveshjes së vitit 2017. Ose pavarësisht a bëhet fjalë për çështje që asnjë popull nuk negocion e as ne, siç është gjuha dhe identiteti maqedonas të cilat janë të mbrojtura. Por njëkohësisht është përfshirë edhe pala bullgare, realiteti për ekzistencën e gjuhës dhe identitetit maqedonas. Kanë të drejtë përmes dokumenteve a rezolutave, të mbetet çështje për diskutim të mëtejmë. Presim që Bullgaria zyrtarisht ta njohë gjuhën dhe identitetin maqedonas”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Kryediplomati portugez, Silva vendi i të cilit kryeson me BE-në, të premten dorëzoi propozim për zhbllokimin e negociatave mes vendit e BE-së. Derisa Shkupi e vlerësoi propozimin si bazë të mirë për zgjidhje, Sofja vazhdoi të këmbëngulë në kërkesën e saj mbi garanci të qarta që Shkupi do ta zbatojë Marrëveshjen dypalëshe të vitit 2017. Jozyrtarisht propozimi i Silvës parashikon që kontesti të mos zgjidhet përmes kornizës negociuese, por përmes Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button