Shkupi, ndër qytetet më të ndotura në botë
Shkupi, ndër qytetet më të ndotura në botë
Shkupi sot renditet e dyta në Evropë, ndërsa e katërta në botë për ajrin më të ndotur në nivel global. Sipas të dhënave të platformës IQAir, kryeqyteti qëndron në vendet e para më të ndotura në botë sipas përqendrimit të grimcave PM2.5 dhe PM10 në ajër. Para Shkupit janë vetëm Lahore në Pakistan, Delhi në Indi dhe Hanoi në Vietnam. Përqendrimi i grimcave PM2.5 në Shkup është 14.8 herë më i lartë se vlera vjetore e udhëzimeve për cilësinë e ajrit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. E sipas të dhënave nga stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit, mbrëmë në mesnatë në të gjitha komunat e Shkupit ndotja e ajrit me grimcat PM10 ka qenë mbi përqendrimin e lejuar prej 50 miligramë për metër kub ajër. Ajri është i ndotur edhe në Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Manastir, Strumicë, Kavadar dhe Kumanovë. Për ndotjen e ajrit ka reaguar partia opozitare LSDM, të cilët kritikojnë pushtetin se nuk po ndërmerr asgjë për ajër më të pastër. VMRO-DPMNE është pushteti qendror dhe pushteti lokal në Shkup, ka kryetar komunash dhe shumicë në këshilla në Shkup, në Aerodrom, Kisella Vodë, Butel, Gazi Babë, Gjorçe Petrov dhe askush nuk bën asgjë. Premtuan shumë, por nuk realizojnë asgjë, deri më tani nuk ka asnjë masë për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Ku janë sipërfaqet e reja të gjelbra që u premtuan? Nuk ka pemë të reja apo gjelbërim. Deponitë nuk pastrohen, rrugët nuk pastrohen, mbeturina në çdo hap, nuk shohim një projekt të vetëm mjedisor, as nuk ka masa afatgjata për uljen e ndotjes në Shkup, thuhet mes tjerash në reagimin e LSDM-së. /Alsat.mk