Shkupi sërish ndër qytetet me ajrin më të ndotur në botë

Shkupi sërish ndër qytetet me ajrin më të ndotur në botë

Gazetare: Ajnur Bafqari

Shkupi vazhdon të mbetet një ndër qytetet me ajrin më të ndotur në botë, ndërkohë që brenda 24 orëve të fundit në kohë të caktuara theu rekord duke u renditur e para në listën e një kompanie matëse zvicerane me indeksin e ndotjes 208, duke lënë prapa Delhin e Indisë, Dhakën e Bangladeshit dhe qytetin Lahore në Pakistan.

Për këtë situatë me ajrin e ndotur tash e disa ditë në kryeqytet, u përplasën partitë politike.

LSDM thotë se VMRO-ja dhe E Majta kanë shkurtuar buxhetin e Shkupit për mbrojtjen e ambientit për 44 për qind.

“Në vitin 2022 në buxhet ishin paraparë 88 milion denarë, ndërsa për këtë vit shuma është pothuajse e përgjysmuar, në vetëm 49 milion denarë. Ky është buxheti I Qytetit të Shkupit të cilin me duartrokitje e votuan këshilltarët e koalicionit të VMRO-DPMNE-së dhe ‘Të majtës’, ku të hollat për mbrojtjen e mjedisit jetësorë janë ulur për 44 për qind”, deklaroi Lubica Jançeva, Këshilltare e LSDM-së.

Nga VMRO DPMNE me kundërpërgjigje, akuzojnë LSDM-në se në pushtet qendror për shtatë vite nuk kanë bërë asnjë projekt të rëndësishëm për uljen e ndotjes së ajrit.

“20 miliardë euro kanë shpenzuar nëpër buxhetet e viteve të kaluara dhe nuk kanë realizuar asnjë projekt për uljen e ndotjes së ajrit. Shkupi po ngulfatet për shkak të papërgjegjësisë dhe kriminalitetit të LSDM-së dhe Arsovskës. Në takimet e fshehta të Kovaçevskit dhe Arsovskës, në vend se të merren vesh për tenderë dhe përfitime, le të merren vesh për masa për ajër më të pastër”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Në prag të krishtlindjeve, Kisha Ortodokse Maqedonase, përfaqësues partiakë dhe aktivistë të ekologjisë apelojnë që të mos ndizen zjarret./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button