Shpalosen detajet e përballjes mes Usik dhe Fjurit në Arabinë Saudite

Tajson Fjuri dhe Oleksandër Usik kanë arritur marrëveshjen për t’u ngjitur në ring në një duel që do të unifikojë të gjithë titujt botërorë në boksin e peshave të rënda. Që nga fillimi i epokës me katër breza në vitin 2004, nuk ka pasur asnjë kampion të padiskutueshëm që i ka mbajtur të gjithë titujt në peshën e rëndë.

Boksieri i fundit që unifikoi gjerdanët e peshave të rënda ishte Lenoks Luis. Më 13 nëntor 1999, ai mposhti Evandër Holifildin në revanshin për unifikimin e titujve, pasi tetë muaj më parë përballja mes tyre kishte përfunduar në barazim.

Dueli mes Usik dhe Furit është bërë realitet, pasi u bë e ditur se të dy boksierët kanë arritur marrëveshje për të luftuar në Arabinë Saudite. Të dy kanë nënshkruar kontratën për ndeshjen që mund të zhvillohet më janar 2024, megjithëse nuk përjashtohet mundësia të afrohet deri më 23 dhjetor.

Para këtij dueli të madh, Furi duhet të kalojë sfidën me Francis Nganou, e cila do të zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite më 28 tetor.

Ukrainasi Usik (21-0, 14 KO) ruajti tre brezat e tij botërorë në peshat e rënda (VBA-IBF-VBO) në fund të gushtit në stadiumin komunal në Vrocklav të Polonisë, duke mposhtur anglezin Danil Dubois me nokuat teknik në raundin e nëntë.

Fjuri, gjithashtu i pamposhtur (33-0, 24 KO), është kampioni aktual i VBC (Këshilli Botëror i Boksit), që kur mposhti Deontai Uilderin në shkurt të 2020-ës, ku kurorëzua për herë të dytë pas fitores së tij kundër Vladimir Kliçkos në vitin 2015.

Sipas medias britanike “The Telegraph”, raportohet se pritet të ketë një shumë prej 121 milionë paundësh, e cila do të ndahet mes dy boksierëve për duelin. Një shifër e jashtëzakonshme, të cilën kompania e promovimeve të Arabisë Saudite “Skills Challenge Entertainment” është e përgatitur të vendosë për dy boksierët e pamposhtur.

LEXO EDHE:

Back to top button