Shpërngulja po zbraz shkollën e Cërni Vërvit

Shpërngulja po zbraz shkollën e Cërni Vërvit

Gazetare: Melihate Rustemi

“Tash këto që kanë mbet dalëngadalë po shpërngulen edhe besoj se brenda dy viteve ndoshta edhe shkolla do të mbyllet”, tha Nefail Bilalli,përgjegjësi i shkollës periferike “Alija Avdoviq” fshati Cërni Vërv.

Shkolla periferike “Alija Avdoviq” në fshatin Cërni Vërv të Komunës së Studeniçanit është shkolla fillore që rrezikon të mbyllet për shkak të numrit të vogël të nxënësve. Përgjegjësit theksojnë për Alsat se në fillim të vitit shkollor kanë qenë të regjistruar 21 nxënës, 6 prej të cilëve u shpërngulën para dy javësh.

“Për momentin të regjistruar në këtë shkollë i kemi 15 nxënës. Çdo vit shpërngulen nga një ose dy familje edhe pse më në këtë fshat kanë mbet diku edhe 7 familje. Sivjet a keni pas libra të mjaftueshëm për gjithë nxënësit, a ka mungu diçka? Disa po, ka edhe mungesë të librave/ Për cilat klasa? Për klasën e pestë kemi pas mungesë edhe në klasën e dytë. Koncepti I ri a mund të thuhet se po zbatohet këtu, kur e dimë se çfarë kushte kërkon? Shumë pak”, shtoi ai.

Në klasën e vetme ku po zhvillohej procesi mësimor nxënësit ishin nga paralele të ndryshme, duke nisur nga klasa e parë e deri në atë të tetë. Secili veçmas po kryente detyrat e tij pavarësisht kushteve jo të përshtatshme për mësim e posaçërisht zbatimin e konceptit të ri mësimor.

“Një ditë në shkollë është shumë e mirë por nuk ka nxënës. Nuk kam shokë që të shoqërohemi bashkë, jemi disa nxënës. Ka disa libra që na mungojnë, nuk i kemi marrë të gjitha librat”, tha një nxënës.

“Jam nxënëse e klasës së tetë, s’ka tjetër nxënës këtu, jam vet. Mërzitem pak që s’kam shokë dhe shoqe. Është interesant të mësosh me paralele të kombinuara. Ndonjëherë ngatërrohemi me mësimet. Kushtet si janë në shkollë? Mirë janë. Edhe ne si nxënës dëshirojmë të kemi një shkollë më të bukur, më të mirë”, u shpreh një nxënëse.

“Cila ngjyrë është kjo? Kafe. Po kjo? E kuqe. Po kjo? Jeshile. Paske vizatu diçka shumë të bukur, çka është? Ylli. Shumë bukur, ke marr edhe pesë. Po kjo çka është? Treni. Edhe nji vizatim shumë i bukur, çka është? Akullore. A i do shumë akulloret? Po”,shtoi një tjetër nxënëse.

Mësimdhënësit që udhëtojnë nga Shkupi kërkojnë që pagës së tyre të rregullt t’i shtohet edhe pagesa shtesë për transport, varësisht largësisë së vendit të punës. Siç thonë ata, mësimdhënësit që punojnë në qytet tjetër ose fshat janë më të dëmtuar në këtë rast për shkak të shpenzimeve të larta për transport.

Vetëm një dekadë më parë, shkolla periferike “Alij Avdoviç”  në fshatin Cërni Vërv numëronte rreth 200 nxënës dhe shumë mësues. Numri më i madh i nxënësve të shpërngulur tashmë mësimet i ndjekin në shkollën qendrore të fshatit Batincë./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button