Shpërthen dhuna në Francë pas fitores së PSG, dy të vdekur dhe mbi 550 të arrestuar
Shpërthen dhuna në Francë pas fitores së PSG, dy të vdekur dhe mbi 550 të arrestuar

Dy persona kanë vdekur dhe qindra janë arrestuar në të gjithë Francën pasi tifozët e Paris Saint-Germain (PSG) festuan fitoren e klubit në finalen e Ligës së Kampionëve.
Në qytetin jugperëndimor të Dax, një djalë 17-vjeçar vdiq pasi u godit me thikë në gjoks.
Ndërsa një 23-vjeçar, i cili po ngiste një skuter në qendër të Parisit, vdiq pasi u përplas nga një automjet, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
U ndezën flakë dhe fishekzjarre, strehët e autobusëve u thyen dhe veturat u dogjën mes festimeve të egra ndërsa PSG fitoi çmimin më të madh në futbollin evropian të klubeve për herë të parë në historinë e tyre – duke mposhtur Interin me një rezulatat 5:0.
Prefekti i policisë së Parisit, Laurent Nunez tha se parada e trofeut të Ligës së Kampionëve të PSG-së do të zhvillohet të dielën në mbrëmje – por do të ketë një prani të shtuar policore dhe ushtarake në terren.
Siç raportohet, 192 persona u lënduan gjatë festimeve natën dhe 559 u arrestuan.
Ndryshe, kulla Eiffel u ndriçua me ngjyrat të kaltër dhe të kuqe të PSG-së.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha: “Një ditë e lavdishme për PSG! Bravo, ne jemi të gjithë krenarë. Parisi, kryeqyteti i Evropës këtë mbrëmje.”